Mbrojtja kërkon rigjykim për shpërthimin te “Sekiraça Bar”

Në Gjykatën Supreme të Kosovës, para kolegjit të gjykatësve të përbërë nga gjykatës të EULEX-it dhe vendas, të martën mbrojtja paraqiti dhe mbrojti argumentet e saj për kthimin në rigjykim të çështjes së njohur, si shpërthimi te “Sekiraça Bar”.
Besnik Hasani, pjesëtar i Njësisë speciale të Kosovës, dhe Shpend Qerimi, pjesëtar i Njësisë Antidrogë, akuzoheshin se më 24 shtatorit 2007, në lagjen “Dardania” në Prishtinë, kishin vënë eksploziv në lokalin e Enver Sekiraçës, ku pas shpërthimit patën humbur jetën dy persona dhe disa të tjerë qenë lënduar. Besohet se kjo u krye në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e policit Trium Riza, më 30 gusht të atij viti, raporton gazeta JNK.
Besnik Hasani e Shpend Qerimi më 22 shtator të 2009, pas procesit gjyqësor, nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, janë shpallur fajtorë për vrasje të rëndë dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Të dy ish-policët u dënuan me nga 25 vjet burgim.
Pas vendimit të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, mbrojtja e të pandehurve ishte ankuar në Gjykatën Supreme, ndërsa kjo e fundit në vendimin e saj kishte refuzuar ankesën e tyre dhe kishte konfirmuar vendimin e shkallës së parë.
Gjykata Supreme, si gjykatë e shkallës së tretë, dëgjoi të martën argumentet e mbrojtjes dhe të pandehurit Shpend Qerimi lidhur me atë se pse lënda duhet të kthehej në rigjykim. Kolegji i gjykatësve dëgjoi edhe argumentet e prokurores së shtetit kundër kthimit të lëndës në rigjykim.
Seanca u mbajt sipas Kodit të vjetër të Procedurës Penale./Indeksonline/