E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbron të birin nga plumbat, vritet me silenciator inxhinieri i naftës

Atentat për motive të paqarta në Fier, ku vritet 62-vjeçari, Koli Veshi, dhe plagosur djali i tij 21-vjeçar. Policia : Dyshojmë se autori kishte maskë dhe se shënjestra ishte djali i viktimës

FIER Një 62-vjeçar nga qyteti i Fierit është qëlluar për vdekje nga persona ende të paidentifikuar, ndërsa nga plumbat ka mbetur i plagosur dhe djali i tij 21-vjeçar.

Sipas burimeve të policisë së Fierit, atë e bir janë qëlluar nga persona ende të paidentifikuar me armë pistolete me silenciator.

Ekzekutimi

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 21.30 kur at e bir, Koli dhe Eni Veshi kanë qenë duke hyrë për në banesën e tyre kur, persona ende të paidentifikuar, iu kanë bërë pritë për t’i ekzekutuar. Sipas burimeve policore, viktimat banonin në rrugën “Andon Boro” në lagjen “8 Shkurti” të qytetit të Fierit dhe në një moment ata janë gjendur përballë një personi të panjohur, i cili ka qëlluar në drejtim të tyre. Ende nuk është bërë e ditur nëse personi që ka qëlluar mbi ta ka qenë i maskuar dhe nëse mes tyre, ka pasur apo jo shkëmbime fjalësh. Megjithatë pohohet se vrajsa është kryer me pistoletë me silenciator, pasi kur është kryer krimi, ka pasur ende lëvizje në rrugë. Nga të shtënat ka mbetur i vdekur 62-vjeçari Koli Veshi, me profesion inxhinier nafte si dhe ka mbetur i palgosur rëndë djali i tij, Eno Veshi 21 vjeç. Sipas burimeve policore, 62-vjeçari kishte marrë tri plumba, prandaj dhe e ka pasur të pamundur që të mbijetonte. Ai ka dhënë shpirt në momentin e transportimit për në spitalin e qytetit. Ndërsa në gjendje të rëndë vazhon të jetë djali i tij 21-vjeçar. Sipas burimeve nga spitali rajonal i Fierit, mësohet se goditja fatale për Veshin ka qenë një plumb që ka marrë në pjesën e gojës.

Hetimi

Menjëherë policia e Fierit ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ku ka fiksuar dhe provat e gjetura aty dhe është përpjekur të marrë dëshmitë e para të personave që kanë qenë pranë vendit ku ndodhi vrasja. Sipas dyshimeve të para të policisë lokale, mësohet se atentatori kishte pasur si synim ekzekutimin e 21-vjeçarit, ndërsa pas një debati mes tyre, 62-vjeçari ka dalë përpara të birit për ta mbrojtur. Kjo është një nga pistat në të cilën po heton policia e Fierit. Ndërkohë, ata po hetojnë në një tjetër pistë, në atë të ndonjë problemi të viktimës, Koli Veshi, pasi ky i fundit ishte inxhinier nafte në një firmë private që operon në Fier. Marrja në pyetje e 21-vjeçarit mund të hedhë edhe më shumë dritë lidhur me ktë ngjarje të rëndë. Ndërkohë, policia ka ngritur disa postblloqe në hyrjet-daljet e qytetit, për të bërë të mundur kapjen e autorit të ngjarjes. Kjo është vrasja e dytë në Fier brenda pak ditës, pas vrasjes së një kambisti nga një 25-vjeçar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›