E Diel, 1 Nëntor 2026

Ultimatumi i minatorëve, të hënën në grevë urie

Këshilli i minatorëve ka pohuar se do të presin nisjen e sesionit të ri parlamentar për të diskutuar lidhur me situatën e krijuar në minierë

BULQIZË Minatorët e Bulqizës kanë vendosur të protestojnë edhe në ditët e ardhshme. Një ditë pas Fitër Bajramit komisioni i grevës dhe këshilli sindikalist i minatorëve kanë vendosur rifillimin e protestave, duke i lënë afat firmës ACR deri ditën e hënë. Kolë Nikollaj tha se minatorët nuk mund të ndalin protestat e tyre për një drekë që premton pronarja austriake. Ai tha se është vendosur që të hënën të ketë zhvillime të reja për dy arsye. “Së pari, tha Nikollaj, deri atë ditë mblidhet Parlamenti dhe me siguri do të zhvillohet séanca me diskutime të lira. Ne jemi të bindur se do të ketë shumë deputetë që do t’i thërrasin ndërgjegjes së tyre për ta trajtuar me përgjegjësi problemin e minatorëve të Bulqizës. Së dyti, pohoi Nikollaj, meqenëse këto ditë qeveria shqiptare ka rifilluar punë, t’i japim dhe një mundësi Ministrisë së Punës, Ministrisë së Ekonomisë dhe veçanërisht Kryeministrit të vendit për të parë me përgjegjësi problemin e minatorëve dhe për t’i dhënë një zgjidhje institucionale. Ne kemi qenë dhe jemi vetëm për një zgjidhje ligjore, ndryshe lëvizja sindikaliste do të jetë më e fortë” - tha Nikollaj. “Kësaj firme i duhet të rihapë licencën nga e para dhe rifillimi i punës kërkon disa muaj. Kjo zvarritje e qëllimshme është e pamoralshme” - deklaroi kreu sindikalist. Burime të rezervuara thanë për “Mapo”-n se ka gjasa që minatorët të nisin një tjetër grevë urie, madje ajo mund të zhvillohet në thellësitë e galerisë.

Protesta

Presidentja e kompanisë ACR, Rohtraut Skatsche-Depisch, uroi një ditë më parë përmes një letre të hapur minatorët festën e Fitër Bajramit, ndërsa shprehu besimin se situata e vështirë do të kalohet mes bisedimeve. "Për shkak të disa personave, kushtet për minatorët janë përkeqësuar", tha presidentja, e cila u bëri thirrje minatorëve që të rikthehen në punë.

Presidentja e kompanisë thekson në letër se ACR ka miratuar kërkesën e minatorëve për rritje të pagës në masën 20 për qind, ndërsa premtoi përmirësimin e kushteve të punës.

Pas publikimit të letrës së hapur, reagoi edhe kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kolë Nikolla, i cili e konsideroi këtë mesazh për festën e Bajramit thjesht si formalitet.

"ACR të nënshkruajë marrëveshje me sindikatën në mënyrë ligjore. Nënshkrimi i marrëveshjes me ACR-në në mënyrë ligjore do të ishte urimi më i mirë për minatorët", tha Nikollaj, duke theksuar se protesta do të marrë fund.

Situata

Prej një muaji i gjithë qyteti i Bulqizës është përfshirë nga greva e urisë dhe protestat, të cilat herë pas here kanë qenë edhe të dhunshme.

Minatorët, por edhe familjaret e tyre, kërkojnë paga më të larta, por edhe investime nga kompania ACR, në mënyrë që të jenë më të sigurt dhe të kenë më shumë kushte teknike.

Inxhinieri Jorgo Kola, i cili ka kaluar mbi 30 vite të jetës së tij në këtë minierë, e mbështet grevën e ligjshme të minatorëve, por ai thekson se në themel të saj duhet të jetë kërkesa për hapjen e katër niveleve të tjera në minierë nga kompania ACR. Inxhinier Kola thotë se kromi që ndodhet në nivelin 16 do të zgjasë punën e 700 minatorëve edhe një vit, ndërkaq ACR-ja duhet të kishte nisur punën për hapjen e nivelit të 17, 18, 19 dhe 20, kohë më parë.

P. HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›