E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllen regjistrimet e fazës së dytë, të hënën vendimi

Më 5 tetor merret një tjetër vendim

A3, MASH ende në dilemë

Ka përfunduar zyrtarisht dje faza e dytë e regjistrimeve të maturantëve fitues për në universitetet e vendit. Pas shpalljes së kuotave bosh nga mosregjistrimet e maturantëve fitues të fazës së parë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dha një javë kohë për fituesit e rinj. Me mbylljen e regjistrimeve pranë sekretarive të fakulteteve, ditën e hënë ato do t’i dërgojnë APRIAL-it shkresat e protokolluara lidhur me regjistrimet apo kuotat e lëna bosh.

Vendimi

Pas shpalljes së kuotave bosh nga faza e parë e regjistrimeve, shumë maturantë kanë gjetur emrin e tyre fitues në listën e dytë, ndërsa disa të tjerë kanë bërë çregjistrimet, pasi kanë rezultuar fitues në një preferencë më të lartë. Pikërisht dje, në 3 tetor, ka qenë edhe afati i fundit për çdo maturant që të regjistrohet në degën e re fituese. Me përfundimin e kësaj faze, do të jenë fakultetet që pas listimit të vendeve të mbetura bosh, do t’i dërgojnë në APRIAL nga ku pritet të bëhen publike më datë 5 tetor. Në rast se edhe kësaj radhe do të ketë vende të paplotësuara, ato do të mund të shpërndahen sërish dhe kandidatët mund t’i listojnë këto të degë në formularin A3.

A3

Ky formular është nxjerrë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe me anë të tij mund të listohen edhe një herë të gjitha degët. Maturantët do të mund të plotësojnë këtë formular pas përfundimit të dy fazave. Me formularin A3 do të listohen edhe një herë të gjitha degët që pas mbylljes së regjistrimeve në dy fazat e para, të cilat kanë kuota bosh. Ky formular do të plotësohet vetëm nga kandidatët që nuk kanë fituar asnjë të drejtë studimi akademik për këtë vit.

Plotësimi edhe një herë i dhjetë preferencave (vetëm për degët që do të kenë kuota bosh) do të mundësojë një renditje të re fituesish, për të cilën gjatë muajit tetor do të çelet një fazë e caktuar regjistrimesh.

Nëse kërkesa edhe në fazën e dytë të regjistrimeve vijon të jetë me të njëjtat ritme, shumë kandidatë që nuk kanë arritur të fitojnë asnjë prej shkollave të larta, do të kenë mundësi të ulen në auditorë.

Dokumentet e nevojshme për regjistrimin final janë dëftesë pjekurie origjinale dhe në mungesë, një listë notash me fotografi, e nënshkruar nga drejtori i shkollës dhe nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale përkatëse; dokument identifikimi (Letërnjoftim, ID ose pasaportë) dhe fotokopje të tij.

Në mungesë të tyre, certifikatë me fotografi; 2 fotografi; si edhe një mandat arkëtimi të tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekësh (numri i llogarisë ku do të derdhet tarifa duhet të kërkohet në fakultetin përkatës).

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›