E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli Bashkiak Durrës, dështon ndarja e 48 apartamenteve

PS e Durrësit, listat me emra militantësh

Shumica e djathtë: Listat ishin të stisura, duam transparenë, jo ujdira

Ndarja e banesave për të pastrehët në Durrës ka dështuar sërish, ndërkohë që është rënë dakord në parim vetëm për privatizimin e kabinave të plazhit. Këshilltarët e djathtë në Bashkinë e Durrësit, të cilët përbëjnë edhe shumicën, nuk kanë rënë dakord me listën e të pastrehëve të paraqitur nga specialistët e bashkisë, pasi kanë kërkuar më tepër transparencë. Lista përmbante 48 emra, aq sa është edhe numri i apartamenteve të ndërtuara për ta, ndërsa këshilltarët e mazhorancës kanë kërkuar listën me 500 emra, të cilët kishin fituar pikët e përcaktuara me kritere.

Apartamentet

Këshilltarët e djathtë, të cilët kanë qenë kundër listës, kanë argumentuar se kërkojnë më tepër transparencë lidhur me hartimin e listës me emrat e atyre që janë përzgjedhur për të përfituar shtëpi banimi ne pallatet publike. Në bazë të kritereve të përcaktuara nga vetë ky këshill, specialistët e bashkisë kishin seleksionuar rreth 500 emra. Prej tyre janë përzgjedhur 48 të parët. Por, këshilltarët e djathtë (PD+LSI) kanë kërkuar në mbledhjen e fundit listën me 500 emra e kjo, në emër të transparencës. Kështu që ka të ngjarë që në mbledhjen e muajit në vazhdim të paraqitet lista e gjerë, prej nga ku do të përcaktohen 48 fituesit. Apartamentet për të pastrehët në Durrës kanë përfunduar së ndërtuari që në vitin 2007, por për shkak të kërkesave të shumta për strehim ka qenë tepër e vështirë ndarja e tyre. Në bashki janë depozituar mbi 5400 kërkesa. Këshilltarët e kanë pasur të vështirë të miratojnë një listë me 48 emra, sikurse ishte edhe ajo më e fundit.

Privatizim

Në mbledhjen e fundit të KB-së, u miratua vetëm privatizimi i ish-kabinave të sektorit “Teuta”, “Apolonia” dhe “Hekurudha” në plazh. Në plazhin e Durrësit janë rreth 700 familje, të cilat jetojnë në kabinat e dikurshme. Kabinat përfaqësojnë hapësira prej 40 metra katrore për banim, por megjithatë banorët nga halli kanë kërkuar me kohe privatizimin e tyre. Në mbledhjen e radhës së bashkisë u ra dakord në parim që kabinat t'i nënshtrohen procesit të privatizimit. Kjo ishte një kërkesë e këshilltarëve demokratë. Meqenëse kabinat nuk janë në pronësi të bashkisë dhe meqenëse nuk ka një kuadër ligjor që mbështet privatizimin e tyre, këshilltarët ranë dakord në parim që ato të privatizohen. Shkresa me këtë kërkesë do t'i dërgohet Ministrisë së Ekonomisë, e cila është pronare e tyre. Këshilltarët ranë dakord që kabinat të privatizohen vetëm nga banorët e tyre. Ndoshta shumë shpejt pas privatizimit, atje do të ngrihen pallate banimi, pasi siç u shprehën vetë poseduesit e tyre “kemi gati marrëveshjet me firmat e ndërtimit”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›