E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia kërkon një qeveri njëpartiake

Bie sipari i fushatës elektorale në Greqi. Votimi i së dielës do të tregojë, nëse prej tyre do të dalë një qeveri njëpartiake, pasi ajo e koalicionit, sipas analistëve, gati përjashtohet.

Fushatës elektorale, që zyrtarisht u mbyll të premten në darkë me mitingun e së djathtës së Karamanlisit, në qendër të Athinës, është e vërtetë se i munguan ekseset, por jo edhe klima e acaruar politike.

Java e fundit shënoi edhe kreshendon e saj, në radhë të parë nga dy lojtarët kryesorë: Demokracia e Re në pushtet dhe PASOK-un në opozitë. Të dy partitë e mëdha tradicionalisht në fund polarizojnë klimën, për të koracuar dhe shtuar elektoratin e tyre, në disfavor të partive të vogla. “Asnjë votë e humbur. Asnjë votë e falur”, ishte motoja e vetë kreut të së djathtës, Karamanlis, që shtroi dilemën: “Ose një qeveri të përgjegjshme” si e tij, “ose një qeveri të papërgjegjshme të Papandreut, që vetëm premton”.

“Kërkoj të më jepni votën që t'ju provoj të kundërtën... Do ta bëj me çdo kusht”, - ishte apeli i fundit i kreut socialist, Papandreu, i cili që në fillim të fushatës shtroi dilemën: “Ose ndryshojmë, ose fundosemi”. Të gjitha anketimet, edhe ato “të fshehta” që zhvillohen me porosi të partive nga shoqëritë demoskopike - pasi me ligj është ndaluar publikimi i tyre 15 ditë para zgjedhjeve - tregojnë socialistët në opozitë si favoritë për fitoren, por një siguri e tepruar mund t’u kushtojë, ndaj edhe Papandreu kërkoi nga elektorati edhe me apel të veçantë televiziv “fuqi zjarri mundësisht më të madhe” për reformat strukturore dhe zbatimin e “programit 100-ditësh” të partisë së tij.

Përballë një trysnie të tillë dhe në dritën e shembullit gjerman, partitë e vogla i kërkuan elektoratit që me votën e tij, t’i japë një goditje sistemit dypartiak grek, të gjithëpushtetshëm prej më shumë se 35 vjetësh. “Çështja nuk shtrohet që më 4 tetor të ndryshojë partia që na qeveris, por të ndryshojë politika”, - deklaroi kryetari i së majtës, Aleksis Cipras, që prognozat thonë se mezi do të arrijë të hyjë në Parlament. I njëjti apel e madje shumë më dramatik erdhi edhe nga kreu i nacionalistëve, Jorgos Karaxhaferis, që akuzoi Karamanlisin se “po menaxhon thjesht disfatën e tij” dhe paralajmëroi Papandreun për revanshizëm eventual ndaj nëpunësve shtetërorë.

PASOK-u dhe Demokracia e Re, në flirt paradoksal

Por, me gjithë replikat e ashpra ndërpartiake, e djathta e do të majtën në Parlament, ashtu si socialistët duan kuota më të larta parlamentare për nacionalistët. Flirt paradoksal? “Është flirt aksidental. Pra, sa më lart është e majta në aspektin e përqindjeve, aq më poshtë është PASOK-u, sipas analizës së Demokracisë së Re. Nga ana tjetër, sa më e fuqishme është prania e Alarmit Ortodoks Popullor të Karaxhaferis, aq më e ngushtë do të jetë jehona e Demokracisë së Re sipas socialistëve”, - i tha “Deutsche Welle”-s analisti i mirënjohur grek, Tasos Papas. Një llogari e tillë, sipas tij, vështirë se u del me elektoratin e Partisë Komuniste, që me sa duket, jo vetëm do të ruajë, por edhe do të shtojë numrin e votuesve të saj, si forca e tretë parlamentare në vend.

Por “flirti i fshehtë” ka caqet e tij. Në kushtet kur edhe 62% e elektoratit shprehet kundër një qeverie koalicioni, të dy të mëdhenjtë nuk hezituan të shtrojnë dilemën: “Ose qeveri njëpartiake, ose pasiguri dhe zgjedhje të njëpasnjëshme!” Shprehja "ose shumicë absolute, ose kaos" përbën ushtrim trysnie nga dy partitë e mëdha pushtetare. Po të mos kemi shumicë absolute, do të shkojmë prapë në zgjedhje. Varianti i qeverive të koalicionit me të dhënat e sotme është i pamundur, pasi partitë janë divorcuar me politikat e bashkëpunimit. Përjashtim bën këtu partia e Karaxhaferit që e ka kërkuar me insistim bashkëpunimin. E djathta e ka refuzuar propozimin e tij, thotë analisti grek, për të theksuar se gjithsesi në demokraci nuk ka situatë pa rrugëdalje.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›