E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbylleni gojën!

Futbollistët në La Liga janë në pushim të verës, por rivaliteti Barcelonë-Real Madrid vazhdon jashtë fushës. Mbrojtësi i gjigantit katalan, Gerard Pique ka sulmuar ekipin e Jose Mourinhos, duke u bërë thirrje atyre të përqendrohen në futboll e jo në ankesa. Nga Express më 11 qershor 2011 në ora 12:06

Qendërmbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique nuk i lë të pushojnë tensionet mes gjigantit katalan dhe rivalit më të madh të tyre nga La Liga, Real Madridit. Përballjet e tensionuara në La Liga, Copa del Rey dhe Ligën e Kampionëve kanë ngritur temperaturën në maksimum në numër të madh të rasteve.

Akuzat nga të dyja ekipet janë zvarritur mes njëra-tjetrës dhe ato duket se do të vazhdojnë edhe gjatë verës. Pique thotë se Real Madridi duhet të flet më pak dhe të përqendrohet në futboll, duke iu referuar bilancit të përballjes gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe ankesave e hetimeve nga UEFA.

“Në fund futbolli ju përkrah kur angazhoheni, andaj ata (Real Madridi) duhet të flasin më pak dhe të përqendrohen në gjëra tjera”, tha Pique për tabloidin anglez The Sun.

“Ne të gjithë e dimë se ku është kufiri. Nuk dua të dëgjoj akuza të rreme, të cilat përsëriten vazhdimisht. Asnjëri prej nesh nuk ka biseduar me gjyqtarët ose për gjëra të tilla. Ne jemi përqendruar në futboll dhe të gjitha të tjerat i kemi lënë anash”, shtoi ai.

Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas vazhdon të jetë i shumëpërfolur në Barcelonë dhe Pique e ka përkrahur rikthimin e tij në klub, nga ku u largua si 16 vjeç.

“Do të doja. Është dëshirë e imja që kjo të ndodhë. Nuk mund të jem më i qartë. Ai është tifoz i Barcelonës dhe ka qenë i tillë gjatë gjithë jetës. Besoj se do t’i pëlqente të kthehej. Do të ishte shumë, shumë mirë për ne. Vitin e kaluar dukej se do të vinte, por nuk doli të jetë ashtu. Tani duket sërish se mund të vjen, por duhet të presim”, theksoi ai.

“Shpresoj që njerëzit në zyre të bëjnë punën e tyre me sukses dhe ta sjellin kësaj radhe. E kam thënë edhe më parë dhe e përsëris edhe tani se shpresoj që një ditë ta kem bashkëlojtar në Barcelonë.

Ai është person i mirë dhe futbollist i shkëlqyeshëm. “Ai do të na dhuronte diçka më tepër. Nuk kam biseduar me të së fundmi. Nuk e di se si qëndron Arsenali ekonomikisht, por e di se ai është futbollist i mirë dhe shok i ngushtë i imi. Ka qenë futbollist i Barcelonës nga sistemi i të rinjve dhe e di se si funksionojnë gjërat këtu. Ai do të paraqitej për mrekulli këtu”, përfundoi Pique.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›