E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meksikanët me doping

Pesë reprezentues të Meksikës janë suspenduar për doping pas testeve pozitive për clenbuterol. Futbollistët në fjalë janë portieri Guillermo Ochoa, mbrojtësit Francisco Javier Rodriguez e Edgar Duenas dhe mesfushorët Antonio Naelson dhe Christian Bermudez. Pavarësisht dramës, kampioni në fuqi Meksika vazhdon pjesëmarrjen në Gold Cup. Nga Express më 11 qershor 2011 në ora 12:05

Pesë reprezentues të Meksikës, që aktualisht marrin pjesë në garën Gold Cup, janë suspenduar për doping të premten, ka njoftuar sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit, Decio de Maria.

Portieri Guillermo Ochoa, i cili luan për skuadrën meksikane America, mbrojtësit Francisco Javier Rodriguez i skuadrës holandeze PSV, Edgar Duenas nga Toluca dhe mesfushorët Antonio Naelson nga Toluca e Christian Bermudez nga Atlante u testuan pozitiv për substancën e palejuar clenbuterol.

“Prej tani do të hyjmë në një periudhë të vështirë gjatë së cilës futbollistët do të jenë të ndarë (nga ekipi në Gold Cup) dhe nisin hetimet”, tha De Maria i cili theksoi se është ende herët për të fajësuar dikë. “Është një situatë e vështirë dhe e padashur, por ne duhet t’i respektojmë rregullat”, shtoi ai.

Testet pozitive erdhën më 21 maj, kur ekipi ishte grumbulluar për kampin stërvitor para Gold Cup, kampionati regjional i CONCACAF-it, të cilin kampioni në fuqi Meksika e filloi të dielën me fitore të thellë 5-0 ndaj El Salvadorit.

“Diçka në ushqim më 18, 19, 20 maj, diçka në mishin e pulës ose të lopës që e kishte ngrënë ekipi ishte kontaminuar me clenbuterol”, theksoi De Maria. “Dyshojmë në diçka gjatë kampit stërvitor. Është vështirë të dimë saktësisht se çka mund të bëjnë pesë futbollistë nga klubet e ndryshme të testohen pozitiv kur ekipi është natyral”, theksoi ai.

Pavarësisht dramës, Meksika shkatërroi edhe Kubën 5-0 të udhëhequr nga Javier Hernandez dhe Giovani dos Santos, të cilët shënuan nga dy gola. Sekretari i përgjithshëm i CONCACAF-it, Chuck Blazer, tha për radio ESPN nga qendra e asociacionit në New York se komiteti i Gold Cup do të takohet të premten mbrëma për të diskutuar nëse Meksika mund të zëvendësojë pesë futbollistët për vazhdimin e garës.

CONCACAF po ashtu konfirmoi se fitorja e Meksikës në ndeshjen e tyre të parë kundër El Salvadorit do të qëndrojë. Derisa De Maria tha se suspendimi në afat të pacaktuar i futbollistëve ishte i nevojshëm, ai insistoi se rrethanat e vërteta të rasteve mbeten për t’u definuar.

Çiklisti spanjoll Alberto Contador, tri herë kampion në Tour de France, ishte testuar pozitiv për clenbuterol gjatë garës së vitit 2010, por ka thënë se ishte infektuar nga mishi i kontaminuar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›