E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet epoka e injorimit të interesave të kryeqytetit prej bashkisë së kryeqytetit

17-07-2011 / Redaksionale

Kështu mësuam në median pranë PS-së, që të gjithë drejtorët e Bashkisë Tiranë na paskan dorëzuar detyrën dhe zyrat e marrë lejen e zakonshme, në të cilat kanë gjalluar jo pak, por më shumë se 11 vjet. Jo pa lot në sy dhe dhembje në shpirt thonë se kanë dhënë dorëheqjen, dhe për rrjedhojë logjike humbur kështu ofiqet ligjore dhe jo ligjore. Sigurisht favoret jo ligjore kanë qenë më të mëdha. Prandaj kanë boshatisur të gjitha dosjet komprometuese dhe kanë ndërhyrë në mbushjen e faqeve të bardha të librit të protokollit për të korrigjuar veprimet dhe mos-veprimet që kanë qenë në kundërshtim me ligjin. Janë parë më shumë se dy furgona ngjyrë rozë që largonin orenditë dhe mobiliet personale të ish-Kryebashkiakut Rama në drejtim të Kullës së Pezës. Kurse vetë zoofili i PS-së është interesuar të largojë dy breshkat, që përbënin konceptin e Ramës për shpejtësinë që duhet të ketë vendi dhe politika kundrejt reformave Euro-atlantike. Me shpejtësinë e breshkës ai ka drejtuar një aksion dy vjeçar opozitar për transparencën e votës, që papritur në fund i solli edhe largimin me votë e de-jure nga Bashkia e Tiranës. Në fakt Edi Rama ishte larguar nga bashkia e Tiranës qëkurse zotëroi fronin e Partisë Socialiste, dhe aty instaloi diktaturën e vendimmarrjes personale për çdo gjë.
Përtej kësaj largimi i regjimit të Edvinit nga kryesimi i punëve të kryeqytetit është veçse një ogur i mirë për të ardhmen e Tiranës. Neglizhenca ndaj kryeqytetit ishte mishëruar në çdo cep, që nga Qendra duke u shtrirë mandej deri në periferi. Përgjegjësia pas Ramës në këtë institucion është e ish-Administratorit të Bashkisë, Dritan Agolli që qeveriste punët e vendore të qytetit dhe drejtonte edhe Drejtorinë e Urbanistikës, por ai ka dhënë dorëheqjen dhe ka marrë lejen e zakonshme. Sigurisht ai pretendon se s’ka përgjegjësi për asgjë, përpos kontratës që nënshkroi me një kompani amerikane lobimi prej 100 mijë dollarë plus shpenzimet, me qëllim “edukimin” e politik-bërësve amerikanë “duke iu referuar formulimit, zbatimit apo ndryshimit të politikave të brendshme apo të jashtme të Shteteve të Bashkuara” përgjatë kohës së grevës së urisë të PS në 2010.
Sakaq edhe nën-kryetarja e Bashkisë Albana Dhimitri ka dhënë dorëheqjen për t’u larguar në drejtim të paditur. Kësisoj edhe shtojcat dhe bishtat e Ramës janë larguar me pushime, dikush brenda Shqipërisë dhe shumë të tjerë jashtë vendit, sigurisht pa adresë dhe me biletë vetëm vajtje. Frika se transparenca e drejtimit të ri të bilanceve financiare dhe ligjore të Bashkisë ka bërë që disa figura kyç të ish-administratës Rama të largohet nga vendi drejt destinacioneve të panjohura.
Sidoqoftë ç’ka bërë Rama me Tiranën është tejet e dukshme. Ajo që shohim përditë është maja e ajsbergut, ku pjesa më e panjohur gjendet në dokumentacionin e pa-protokolluar të Bashkisë. Aty është dhe nuk është abuzimi me kryeqytetin. Afërmendsh Edi Rama e ka thënë vetë se nuk ka ndërmend t’ia dorëzojë bashkinë e Tiranës Lulzim Bashës. Dhe se “Unë nuk di të ekzistojë ndonjë njeri i arsyeshëm që të pohojë se gjëja e vjedhur mund të dorëzohet me procesverbal”. Ky pohim i fundit i Ramës sinjalizon se procesverbalet nuk do të dorëzohet kurrë. Transparenca për administratën e re duhet deh do mund të jetë një prioritet për të pastruar vatrën e infeksionit që pati krijuar moçali 11 vjeçar socialist. Një nisje e mirë është gjysma e punës thotë populli, që ka votuar ndryshimin. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›