E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllet farsa e zgjedhjeve në PS. Dështon procesi i zgjedhjes së delegatëve të Kongresit

22-10-2011 / Gazeta 55

- Probleme të mëdha në Shkodër, Lezhë dhe Sarandë. Në Shkodër procesi është bojkotuar nga 90% e anëtarësisë socialiste

- Akuzat e anëtarësisë: U deformua vullneti i socialistëve, listat të manipuluara

Në morinë e problemeve si ajo e mos gjetjes së emrit në lista, në qytetet e mëdha kanë filluar kontestimet e para, duke e quajtur të dështuar procesin, pasi rreth 80% e anëtarësisë socialiste i ka bojkotuar zgjedhjet. Në Sarandë procesi u ndërpre për rreth 4 orë pasi shumë anëtarë socialistë nuk gjenin emrat e tyre në lista, ndërsa polemika të ashpra shoqëruan procesin në Lezhë dhe Shkodër, ku anëtarësia socialiste akuzoi drejtuesit se kanë manipuluar procesin

- Partia Socialiste zhvilloi zgjedhjet për 880 delegatët që do të marrin pjesë në kongresin e 5 nëntorit. Por forca më e madhe politike e opozitës në këtë proces humbi shansin për të treguar se është e aftë të zhvillojë zgjedhje të pakontestueshme dhe të drejta brenda gjirit të saj. Probleme të forta shoqëruan këto zgjedhje në disa qytete të vendit. Në Lezhë ish kryetari i degës së rrethit, një prej themeluesve të saj, i njohur si kritik i kryetarit Edi Rama, është përjashtuar nga lista pa asnjë shpjegim. Një akt që sipas tij, cenon integritetin e këtyre zgjedhjeve. Vetë ish kryesocialisti i këtij qyteti, flet për një proces qartësisht të manipuluar. “Kam ardhur për të votuar sot me parimin “një anëtarë, një votë”, për strukturat e deleguara, apo për delegatë Kongresi të PS dhe çuditërisht nuk gjendet emri im dhe i bashkëshortes sime, në listën e votimit. Ky është kulmi i skandalit, pasi pa asnjë lloj argumenti, pa asnjë lloj dëshmie dhe dokumentacioni dhe pa asnjë lloj vendimmarrje, jam jashtë listës së votuesve të Partisë Socialiste. Dua të denoncoj këtë farsë, këtë mashtrim dhe këtë manipulim që bëjnë personat që kanë uzurpuar Partinë Socialiste në Lezhë dhe në qendër, në Tiranë. Dhe cilët janë ata? Janë ata që historikisht kanë qenë manipulatorë. Historikisht kanë qenë përvetësues dhe historikisht të korruptuar. Mesa duket, e gjtihë kjo është një lloj filozofie që financohet që nga Tirana, që nga ai kryetari i gjatë, i cili është humbës dhe i interesojnë humbësit atij. Atij nuk i interesojnë faktorët, njerëzit publikë, njerëzit me vlera, njerëzit që janë qytetarë si gjithë të tjerët, por që nuk kanë negativitet, as morale, as qytetare, as shoqërore, as administrative dhe as penale. Uzurpimi i Partisë Socialiste nga Muamar Gadaf Ramës, është kthyer në një bandë që s’njeh vlerat dhe as parimet demokratike.
Në Fier socialistët u përballën me një prej fenomeneve të cilin e kanë kundërshtuar me forcë në çdo proces zgjedhor, atë të votimit familjar apo në grup. Debate të ashpra u krijuan në qendrat e votimit. Një situatë e tillë shkaktoi pakënaqësi në radhët e Partisë Socialiste të këtij qyteti. Në Shkodër socialistët e bojkotuan në masë të madhe këtë proces zgjedhor. Mes dyshimeve të hedhura një ditë para votimit, për manipulime, nga sekretari për marrëdhëniet me publikun në degën e partisë. Në këtë rreth, sipas të dhënave të komisionit kanë votuar më pak se 20% e anëtarësisë. Në Sarandë procesi u bllokua për më shumë se 4 orë. Shkak u bë fakti se një pjesë e kryesisë së degës nuk kishte dijeni mbi listën e kandidatëve në garë. Sipas tyre, lista është përpiluar në fshehtësi nga një pjesë tjetër e kryesisë. Votimi ri-nisi pas disa orësh debati të zhvilluar mes anëtarëve të kryesisë, larg vëmendjes së publikut dhe medias. Edhe në qytete të tjera si Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Rrëshen, Burrel, Lushnje dhe Korçë, pjesëmarrja ka qenë e ulët krahasuar me votimet e zhvilluara për kryetarin, pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2009-ë, me një mesatare nën 50%.

Rama: Pjesëmarrje e kënaqshme

Përshëndet të gjithë anëtarët e PS nga e gjithë Shqipëria, që si dhe ata në emigracion, po votojnë për konstituivin e kongresit të ri të PS. Jam shumë i kënaqur nga të dhënat që kemi deri tani mbi pjesëmarrjen, po ashtu jam sh i kënaqur për konsolidimin e një tradite për promovimin e barazisë gjinore në forumet e Partisë Socialiste.    

Andis Harasani: Zgjedhjet në PS, të deformuara - u inskenuan listat

Incidentet në Kombinat, autorët të lidhur me botën e krimit – do paditen penalisht

Deputeti Andis Harasani do të depozitojë një padi penale për personat që shkaktuan incidentin e mbrëmjen e të premtes gjatë takimit që ai dhe deputeti Arben Malaj, po zhvillonin me socialistët e zonës së Kombinatit në kryeqytet. Sipas Harasanit, bëhet fjalë për ngjarje të inskenuar, pasi disa persona me precedentë penalë, të skeduar dhe  të dënuar, për trafik lëndësh narkotike, janë kontraktuar nga persona të tjerë për këtë qëllim. Ndaj, deputeti socialist u kërkon publikisht autoriteteve shtetërore të veprojnë. “Më vjen keq për incidentin, pasi është një incident që në skenën politike shqiptare s’ka ndodhur as në vitet ’96 – ’97, që kanë qenë vitet më të ashpra. Do të doja t’i bëja thirrje Kryeministrit të Republikës, Sali Berisha dhe ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, të marrin masat urgjente, për të zbuluar autorët e atij inskenimi të turpshëm. Personat janë të identifikuar, pasi janë persona të lidhur me botën e krimit, persona të lidhur me trafikun e lëndëve narkotike dhe të dënuar për këtë, kështu që, besoj se është e lehtë që të zbulohen. Mund t’i drejtohem edhe prokurorisë, për të ngritur një akuzë për këta persona”- u shpreh Harasani. Sipas disa pjesëmarrësve në këtë takim, personat që shkaktuan incidentin janë mbështetës të deputetit socialist të zonës, Sajmir Tahiri. I pyetur lidhur me këtë fakt, deputeti Harasani u shpreh: “Unë besoj se kolegu Tahiri është shumë i zënë me detyrat e ngarkuara, qoftë në krye të FRESSH, në krye të Forumit të Gruas, në krye të Tiranës. Nuk besoj se ka patur kohë dhe nuk shoh asnjë arsye se pse kolegu Tahiri duhet të prishë takimin e dy kolegëve të tij. Deputeti Harasani komenton edhe largimin e kryetarit të Partisë Socialiste të Vlorës, Kujtim Sulçe, ku dhe shpreh keqardhje, për shkëputjen e të gjithë njerëzve me kontribute nga Partia Socialiste. Sipas tij, duhet të punohet për të mbajtur këto vlera dhe jo duke sanksionuar me statut ngritjen e strukturave policor që të mbrojë votat. “Ndjej vetëm keqardhje. Gjithsesi besoj se duhet të jemi të ndershëm sepse ka patur largime nga PD që kanë ardhur në PS dhe ne nuk i kemi quajtur tradhtarë apo të “shitur”. Besoj se duhet të gjejmë mënyrën që të mos ndodhin më, por gjithsekush ka të drejtën e tij, gjithsekush kupton se pse nuk jemi ne në pushtet, apo pse nuk kemi fituar aq vota sa kemi menduar. Problemi është si do arrijmë t’i mbrojmë këto vota, jo duke krijuar një polici paralele, një inskenim listash, por duke kërkuar votën çdo qytetari shqiptar, duke i dhënë një alternativë qeverisëse shumë më të mirë se kjo që kemi sot”- tha Harasani. Duke parë si opsion të mundshëm në kushtet ku ndodhet Partia Socialiste, krijimin e një force të re politike, Harasani thotë se personalisht do të punojë për modernizimin e saj dhe së bashku me kolegë të tij, janë shumë pranë këtij synimi. “Kam dëgjuar në shtyp për partinë e re. Çdo opsion është i mundshëm, por ne kemi disa vite që luftojmë për demokratizimin e PS-së, besoj se sot jemi shumë më pranë këtij demokratizimi se sa qenë 3 vjet përpara dhe nuk shoh arsye se pse duhet të krijohet një parti e re, aq më shumë kur pasojat e një çarje të re të partisë, besoj se janë evidente për të gjithë.     

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›