E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet fushata presidenciale në Ukrainë

Kandidatët në zgjedhjet presidenciale në Ukrainë sot bënë përpjekjet e fundit për të joshur votuesit, në ditën e fundit të fushatës, në prag të zgjedhjeve presidenciale, të cilat zhvillohen nesër.

Anketat e opinionit publik dëshmojë se udhëheqësi prorus i opozitës, Viktor Janukovich - kandidati i mposhtur në zgjedhjet e vitit 2004, pas revolucionit të portokalltë në Ukrainë - kryeson bindshëm para kandidatëve të tjerë.

Yanukovich ka shprehur shpresën se do të ngadhënjejë qysh në rrethin e parë të zgjedhjeve, por megjithatë ai me gjasë do të dështojë që të sigurojë fitoren qysh në rrethin e parë, me rrethin e dytë i cili është paraparë të zhvillohet më 7 shkurt.

Në rrethin e dytë pritet të kualifikohet edhe kryeministrja aktuale e Ukrainës, Yulia Timoshenko, për të cilën analistët besojnë se ende ka kohë që të shkrijë epërsinë e Yanukovichit, në tri javët e mbetura deri në rrethin e dytë zgjedhor.

“Mendoj se intriga ende nuk ka përfunduar. Natyrisht, Tymoshenko do ta ketë vështirë të ngadhënjejë në rrethin e dytë. Por mendoj se ajo ka gjasa për të fituar, nëse arrin të joshë votuesit të cilët dëshirojnë integrimet evropiane dhe nëse josh votuesit e kandidatëve të mposhtur”, deklaroi drejtori i qendrës për studime politike Penta, Volodimir Fesenko.

Presidenti aktual i Ukrainës Viktor Yushchenko, kryesuesi i revolucionit të portokalltë, i cili është angazhuar për anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe BE, pritet të dënohet për shkak të dështimit të revolucionit dhe të eliminohet qysh në rrethin e parë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›