Gjeorgjia akuzohet për “strehim të terroristëve”
Rusia ka theksuar se kryengritësit islamikë po trajnohen në Gjeorgjinë fqinje, për të ndërmarrë sulme në Çeçeni dhe rajonet tjera, ka njoftuar një agjenci shtetërore e lajmeve.
Zyrtarët rusë kanë theksuar se trajnimi dhe financimi i kryengritësve i ka kontribuar intensifikimit të dhunës gjatë muajve të kaluar në rajonin e Kaukazit, përfshirë këtu Çeçeninë, Ingushetinë dhe Dagestanin.
“Në një bazë ushtarake në Gjeorgji, militantët po trajnohen nga instruktorë të huaj, për të ndërmarrë sulme në Rusi”, deklaroi zëvendësministri i Brendshëm i Rusisë, Arkady Yedelev, gjatë një takimi me zyrtarët e policisë në qytetin Vladikavkaz, njoftoi agjencia e lajmeve RIA.
Yedelev theksoi se trajnimi ka mundësuar që për dallim nga viti 2008, që të shtohet për 19 për qind numri i “sulmeve terroriste” në Kaukaz gjatë vitit 2009.
Gjatë luftës së dytë në Çeçeni në vitet e 90-ta, Moska ka theksuar se Lugina e Pankisit në Gjeorgji, në kufi me Çeçeninë, ka shërbyer si strehimore për kryengritësit çeçenë.
Zyrtarët në Tbilisi kanë pranuar se disa refugjatë çeçenë ende jetojnë në rajon, por kanë theksuar se kryengritësit dhe militantët nuk strehohen më në rajonin e Gjeorgjisë.
Në tetor të vitit të kaluar, shefi i shërbimit rus të inteligjencës kishte akuzuar Gjeorgjinë për bashkëpunim me Al Qaidën dhe militantët islamikë. Një zyrtar i lartë në Tbilisi i kishte cilësuar si “absurde” këto akuza.