E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllet gjendja e emergjencës – u përballua dimri më i vështirë i 27 viteve të fundit

10-03-2012 / Gazeta 55

Qeveria heq “gjendjen e emergjencës natyrore”. Kryeministri akuzon kreun e opozitës se hodhi vallen e vdekjes, duke paralajmëruar katastrofa të trefishta me “ciu-ciu” nga Twitteri, por që shqiptarët ia kanë regjistruar panikun që tentoi të përhapte


Qeveria heq gjendjen e jashtëzakonshme në zonat e prekura nga reshjet e dendura të borës, pasi situate paraqitet e përmirësuar dhe nuk paraqet më rrezik. Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për Emergjencat, kryeministri Berisha theksoi se gjendja e emergjencës është e panevojshme ndërsa ka falënderuar të gjithë punonjësit e administratës dhe qytetarët për solidaritetin e rrallë të treguar për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave të izoluara. Berisha gjithashtu ka bërë një panoramë të situatës aktuale në këto zona, duke njoftuar përmirësimin e ndjeshëm të situatës. “Gjykoj nga të gjitha të dhënat, që vazhdimi i gjendjes së emergjencës, e deklaruar në datën 12 shkurt është bërë tashmë i panevojshëm. Kjo ishte një periudhë e veçantë, një dimër i paparë që nga mesi i viteve 80, i cili bllokoi zona të tëra, deri në 3 metra borë, rreth 106 komuna e bashki të vendit,  me rreth 800 mijë banorë, mbi 5 mijë kilometra rrugë rurale dhe komunale. Gjendja e emergjencës u shpall së pari, për të bërë çdo gjë për të shpëtuar çdo jetë dhe për të ndihmuar çdo qytetar në nevojë, së dyti, për të bërë gjithçka për të ndihmuar ata, të cilët u bllokuan nga reshjet e mëdha të dëborës, duke mos pasur akses në treg dhe për të plotësuar nevojat e tyre të krijuara nga bllokimi. Gjendja e emergjencës u shpall për të mobilizuar të gjitha mjetet e nevojshme, për të garantuar kalueshmërinë së pari, të rrugëve kombëtare dhe më pas, të rrugëve rurale dhe komunale. Kjo periudhë, rreth 27 ditore, ishte periudha e solidaritet më të madh të qytetarëve të këtyre zonave ndaj njëri-tjetrit dhe të komuniteteve të këtyre zonave për të përballuar me pasojat më minimale situatën e krijuar nga reshjet e papara në 27 vitet e fundit. Dua t’u shpreh një mirënjohje të thellë mijëra njerëzve, grave dhe burrave që me solidaritetin e treguar ndaj njëritjetrit dhe komunitetit, me angazhimin e përkushtimin e tyre bënë që pasojat e këtij bllokimi të shpejtë e të menjëhershëm të kapërcehen me sukses të plotë. Gjatë kësaj periudhe, ka pasur një solidaritet të paparë dhe ndihmë të madhe. Banorët e fshatrave, komunave të ndryshme ndanë me njëri-tjetrin gjithçka, bashkuan përpjekjet e iniciativën e tyre e kanë hapur dhjetarë e dhjetëra, në mos qindra kilometra rrugë, në mënyrë që të lidheshin me qendrën e komunës, kanë transportuar me kilometra të tëra të sëmurë, për të bërë të mundur që t’i merrnin më pas ambulancat apo helikopteri. Por dua të theksoj se meritojnë një falenderim të veçantë, mirënjohje dhe respect të madh edhe ata mijëra punonjës të administratës lokale dhe qendrore që u angazhuan në përballjen e emergjencës së krijuar. Në këtë kontekst, punë të shkëlqyer bënë njësitë e Forcave të Armatosura dhe të Policisë së Shtetit, Njësia e Helikopterëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe flota e helikopterëve, sistemi i emergjencës cilivile dhe punonjësit e saj, punonjësit e arsimit, shëndetësisë, etj.. Faktikisht, makineria e emergjencës u instalua, u konsolidua dhe funksionoi me shpejtësi të madhe. Ne dolëm nga kjo situatë, në një kohë që as edhe një qytetar i vetëm që kërkoi ndihmë nuk mbeti pa e marrë atë, kudo dhe në çdo rrethanë që ndodhej. Ne dolëm nga kjo situatë pa dëme serioze materiale. Ne dolëm nga kjo situatë pa dëme të ndjeshme në gjënë e gjallë të këtyre zonave, dëshmi kjo e shkallës së përgatitjes së familjeve të këtyre zonave, të cilët, vërtet, një dimër kaq të rëndë nuk e prisnin, por  përballuan me sukses”- u shpreh kryeministri Berisha, ndërsa shtoi se qeveria mobilizoi të gjitha fondet dhe mjetet për shpërndarjen e ndihmave. “Qeveria mobilizoi të gjitha mjete dhe fondet, me bazën që krijoi ushtria në Kukës, për shpërndarjen e ndihmave, u kryen me dhjetëra e dhjetëra fluturime nga më të vështirat, veçanërisht në zonat e Alpeve, në Librazhd, Korçë e zona të tjera. Ministria e Shëndetësisë dërgoi me shpejtësi në çdo qendër shëndetësore të komunave të izoluara, paketat jo vetëm me ilaçet e emergjencës, por edhe paketa për mjekimin e sëmundjeve kronike, sipas parashikimeve të mjekëve të këtyre zonës. Anëtarët e këtij Komiteti dhe ekipet e tyre u angazhuan me përkushtim të madh në qarqet respektive, në një bashkëpunim shumë të ngushtë me komunitetet lokale dhe qeveritë vendore, të cilat, pavarësish ngjyrave partiake, kanë bërë një punë të shkëlqyer. Në tërësi, përveçse në ndonjë rast, ata dëgjuan zërin e qytetarëve të tyre dhe jo thirrjet absurde partiake, të cilat kishin synim t’i shkëpusnin nga qytetarët dhe t’i shndërronin në kollagjerë të partisë”- tha kryeministri.


Ndërkaq, shefi i ekzekutivit akuzoi lidershipin e selisë rozë, se gjatë gjendjes së fatkeqësisë, bazoi të gjithë alternativën e tij politike, ta katastrofa e 3-fishtë. Ai i bëri thirrje krysocialistit Edi Rama që të nxjerrë mësime e të mos merret me parashikime që të rikujtojnë shpatullat që shihnin barinjtë dikur, me të cilat parashikonin luftërat dhe motet në lashtësi. “U paralajmëruan katastrofa të mëdha, të trefishta dhe ju lutem të lexoni memorien e mediave tuaja: Njëra do ishte katastrofa e dëborës, e dyta, e energjisë dhe e treta, e përmbytjeve. Fatmirësisht, shqiptarët e kaluan këtë dimër, deri tani, pa asnjë katastrofë, as të borës, as të energjisë apo të përmbytjes. Ndaj uroj që shoku ‘ciu-ciu’ të nxjerrë mësime se nuk ndërtohen alternativat vetëm mbi të keqen, edhe kur është, edhe kur nuk është, edhe kur e ndjell, edhe kur nuk e ndjell, se ja që nuk ndodhi asnjë nga ato katastrofa që paralajmëroi. Sikur borën ta kishte sjellë qeveria, sikur digat t’i kishte shterë qeveria, kur qeveria po blinte energji edhe në kohën më të vështirë dhe po i furnizonte qytetarët dhe sikur përmbytjen nuk e sillte dëbora, por qeveria. Shqiptarët nuk mund t’i besojnë këto gjëra. Ndaj uroj që ta lexojë edhe një herë këtë muaj që shkoi e zhvillimet e tij, në mënyrë që të nxjerrë mësime e të mos merret me parashikime që të rikujtojnë shpatullat që shihnin barinjtë dikur, me të cilat parashikonin luftërat dhe motet”- tha më tej ai. Duke shpallur të mbyllur gjendjen e “fatkeqësisë natyrore”, kryeministri Sali Berisha garanto se vëmendja do të përqendrohet totalisht në ato fshatra, ndonëse sporadikë, që janë ende në vështirësi, do të ketë një përqendrim më të madh për çdo problem që të kenë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›