Mbyllet hetimi i pullave fiskale
Koncesioni i Ministrisë së Financave për pullat fiskale duket se do të marrë zgjidhje shumë shpejt. Avokati i prokurimeve kishte nisur hetimin administrativ, për shkak të ankesës që paraqiti një kompani angleze, pjesëmarrëse në tenderin e zhvilluar në fund të vitit 2009. Ankesa e firmës së huaj, pas shqyrtimit të dosjes dhe ligjit të koncesioneve, rezulton e padrejtë, për pasojë AvP-ja aprovon vendimin e Komisionit të Ofertave, që shpalli fitues një kompani zvicerane. Tenderi i koncesionit të pullave fiskale për mallrat e akcizës konsiderohet tepër i rëndësishëm për sigurinë e tregut, por edhe për vetë bizneset, të cilat duhet të bëjnë llogari nga e para për kostot që paraqet instalimi i pajisjes së re. Shumë biznese e kanë konsideruar koncesionin e pullave fiskale si mjet që nxit rritjen e çmimeve, pasi kompania private do të vërë në zbatim aparatura me kosto të lartë për prodhimin e pullave. Nga Ministria e Financave nuk ka një datë se kur do të nisë puna për prodhimin e pullave nga shoqëria që pritet të lidhë kontratë.
#