Vidhen 12 milionë në një banesë, policia gjen dhe kthen paratë
Vidhen dhe gjenden prej policisë 12 milionë lekë, që ishin marrë nga një banesë në një nga lagjet periferike të Lushnjës. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, me synim vënien në pranga të autorëve. Burime policore thanë se ngjarja është regjistruar mbrëmjen e vonë të së premtes në Karbunarë të Madhe. Në banesën private të shtetasit me inicialet A. M., persona të paidentifikuar, duke përfituar nga mungesa e njerëzve të familjes, kanë thyer xhamin e dritares së jashtme të banesës dhe kanë hyrë brenda. Në dhomën e gjumit kanë gjetur kasafortën e familjes dhe janë munduar që ta hapin, por kur janë ndeshur me vështirësitë e hapjes kanë vendosur ta marrin atë me vete. Jo më shumë se 500–600 m larg banesës ata e kanë hedhur kasafortën të pahapur në anë të rrugës në vendin e quajtur “Gurorja”. Ende nuk dihen arsyet e hedhjes së kasafortës, por mendohet se grabitësit mund të jenë ndeshur me ndonjë patrullë policore. Nga deklarimet e pronarit të banesës mësohet se shuma që ishte në kasafortë shkonte në 12 milionë lekë të reja, shumë e cila është gjetur e paprekur brenda në kasafortë. Edhe pse paratë i janë kthyer të zotit të paprekura, policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve për veprën penale të “vjedhjes”.
#