Festivali i Durrësit shpall programin
Pak ditë para çeljes së edicionit të dytë të festivalit veror ndërkombëtar të filmit, "Durrës 2009", që do të mbahet nga 22-30 gushti në qytetin bregdetar, organizatorët kanë shpalosur programin. Janë rreth 18 filma që do të konkurrojnë e do të shfaqen njëkohësisht për publikun durrsak gjatë këtyre ditëve të aktivitetit. Në këtë edicion të dytë, festivali nuk ka marrë mbështetjen nga Qendra Kombëtare Kinematografike, por ka mbështetjen e Bashkisë së Durrësit, Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe ministrit të Kulturës, Ardian Turku, në cilësinë e presidentit të festivalit, si dhe nga shoqata kulturore "Çajupi". Gjatë një konference për shtyp, organizatorët pohuan se filmat do të konkurrojnë në seksionet, Balkan World/Botë Ballkanike dhe Contemporary Visions/Vizione Bashkëkohore, ndërkohë që një seksion do t‘i kushtohet kinemasë retrospektive, që do të evokojë krijimtarinë e regjisorit të njohur shqiptar, Dhimitër Anagnosti. Një surprizë e festivalit konsiderohet filmi që do të përshëndesë çeljen e tij mbrëmjen e 22 gushtit, në Amfiteatrin Romak, fitues i çmimit "Oscar 2009", "Slumdog millionare", i regjisorit Dany Boyle. Filmi "Gjigandi", i regjisorit Paolo Sorrentino; emra të rëndësishëm të kinemasë si regjisori çek, Peter Zelenka, me filmin "The Karamazovs", fitues i "Best Film" në "Czech Lion Awards"; "La Pivellina", një film i regjisorëve Tizza Covi dhe Rainer Frimmel, fitues në "Europa Cinemas Label"; filmi më i mirë europian në "Karlovy Vary Film Festival 2009", "Ricky", me regji të Fransua Ozo; Bullgaria me filmin "Bota është shumë e madhe dhe shpëtimi fshihet diku afër" nga regjisori Stefan Komandarev, do të jenë disa nga filmat që do të mund të ndiqen gjatë ditëve të këtij aktiviteti kushtuar kinemasë. Ndërkohë, në seksionin e Balkan World do të konkurrojnë filmat nga Turqia, "Rruzarja e gabuar", "Tre Majmunët" nga Nuri Bilge Ceylan, Sllovenia me "Përgjithmonë" nga Damjan Kozole, Greqia me filmin "Mali përballë" i regjisorit Vassilis Douros, Bullgaria me regjisorin Ivan Cherkelov me filmin "Aragosta", Kroacia me filmin "Të zinjtë", Rumania me filmin "Vajza më e lumtur në botë", e regjisorit Radu Jude, si dhe Shqipëria me filmin "Gjallë" të regjisorit Artan Minarolli. Jashtë konkurrimit do të prezantohet filmi "Ama dorën", i regjisorit kosovar Ismet Sijarina, një film bazuar në një histori të vërtetë mbi një të ri kosovar abuzues droge. Projeksionet e filmave do të shfaqen në sallën e kinemasë të teatrit "Aleksandër Moisiu" dhe në Amfiteatrin Romak, përkatësisht në oraret 12:00 dhe 20:00. Juria Contemporary Vision do të ketë si president Rik Vemeulen, koordinator dhe konsulent për "International Film Festival" në Rotterdam (IFFR), drejtor i "Transilvania International Film Festival" (Cluj-Napoca) në Rumani, drejtor i festivalit "Noordelijk Film Festival" (Leeuwarden), Holandë.
Ndërsa juria e kritikës do të drejtohet nga Deborah Young- drejtore artistike e Festivalit të Taorminës, gazetare dhe kritike filmi, korrespondente për revistën "Variety" dhe aktualisht editore për Italinë në Nju Jork të revistës "Cineaste". Në përfundim të festivalit, për filmat konkurrues do të ndahen çmimet: "Golden Gladiator" për filmin më të mirë, "Çmimi i Jurisë" për regjisorin më të mirë, "Filmi më i mirë Ballkanik", "Çmimi i Karrierës", "Çmimi i Kritikës së Filmit", "Aktori më i mirë" dhe "Aktorja më e mirë".
Ndërsa juria e kritikës do të drejtohet nga Deborah Young- drejtore artistike e Festivalit të Taorminës, gazetare dhe kritike filmi, korrespondente për revistën "Variety" dhe aktualisht editore për Italinë në Nju Jork të revistës "Cineaste". Në përfundim të festivalit, për filmat konkurrues do të ndahen çmimet: "Golden Gladiator" për filmin më të mirë, "Çmimi i Jurisë" për regjisorin më të mirë, "Filmi më i mirë Ballkanik", "Çmimi i Karrierës", "Çmimi i Kritikës së Filmit", "Aktori më i mirë" dhe "Aktorja më e mirë".