Mbyllet numërimi për 3 njësi – KQZ konfirmon drejtësinë e leximit të çdo vote

Me vlerësimin e 133 votave të hedhura gabim në kutitë e 3 njësive të para, KQZ zbaton vendimin e Kolegjit për të konsideruar vullnetin e të gjithë banorëve të kryeqytetit. Procesi pritet të përfundojë brenda pak ditësh, duke i dhënë fund odisesë së zgjedhjes së kryebashkiakut të ri
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka finalizuar edhe votat e kontestuara në njësinë bashkiake nr. 3, ku pas numërimit të 117 kutive të votimit, kandidati i Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha mori 36 vota, ndërsa ai socialist i “Aleancës për të Ardhmen”, Edi Rama, 20 vota.
Në tërësi, kandidati demokrat Basha udhëheq garën e Tiranës me 76 vota diferencë, kur kanë mbetur edhe 8 njësi bashkiake për t’u numëruar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve filloi të shtunën procesin e hapjes së kutive dhe numërimit të fletëve të kontestuara në 365 qendrat e votimit të Bashkisë Tiranë, ndërsa deri në orët e vona të së shtunës, ky institucion i dha fund procesit të numërimit të votave të njësisë bashkiake nr. 1, ku nga hapja e 156 kutive të votimit rezultuan 28 vota në favor të kandidatit demokrat, Lulzim Basha dhe 26 për rivalin e tij socialist, Edi Rama. KQZ rinisi dje numërimin rreth orës 10:30, me kutitë e njësisë bashkiake nr. 2. Nga kutitë e hapura kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha vijon avantazhin e tij ndaj rivalit socialist Edi Rama. Gjatë numërimit në njësinë 2, përkatësisht KZAZ-ja 46, Lulzim Basha mori 21 vota, ndërsa Edi Rama 12 vota. Kurse gjatë numërimit në njësinë 3, që i përket KZAZ-ja 47, në favor të Lulzim Bashës shkuan 20 vota, ndërsa në favor të Edi Ramës 36 vota.
Institucioni i zgjedhjeve, pritet të nisë sot paradite mbledhjen e radhës për të numëruar votat e kontestuara në njësinë bashkiake nr.4, ose KZAZ 48.
Votat e gjetura në kutinë e gabuar do të kërkohen në zarfin e fletëve të kontestuara në secilën kuti, do të numërohen dhe rivlerësohen nga grupet e numërimit, dhe para se të tabulohen, do t’i njoftohen KQZ-së për t’i pasqyruar në tabelë. Për çdo tavolinë ky proces ndiqet edhe nga dy vëzhgues të PD-së dhe PS-së. Për fletët e hedhura gabim shikohet zarfi ku janë futur fletëvotimet e kontestuara.
Gjithsej do të hapen 1793 kuti për të numëruar fletët e kontestuara, sipas vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Kësisoj, KQZ ka mbyllur numërimin e votave të hedhura gabim në njësinë nr. 3, ndërkohë që ka njoftuar se seanca e radhës do të mbahet nesër rreth orës 09:30 ku do të vijohet me numërimin e votave për 43 Qendra Votimi të KZAZ nr. 48.
Njësia bashkiake nr. 3, KZAZ 47
Kutia 17 70 - 1 votë për Lulzim Bashën
Kutia 17 71/1 - 1 votë për Lulzim Bashën, 2 vota për Edi Ramën
Kutia 17 74 - 1 votë për Lulzim Bashën, 1 votë për Edi Ramën
Kutia 17 71 - 1 votë për Lulzim Bashën, 1 votë për Edi Ramën
Kutia 17 64 - 1 votë për Lulzim Bashën
Kutia 17 63 - 6 vota për Lulzim Bashën, 6 vota për Edi Ramën
Kutia 17 56 - 1 votë për Lulzim Bashën, 5 vota për Edi Ramën
Kutia 17 67 - 1 votë për Lulzim Bashën, 1 votë për Edi Ramën
Kutia 17 66 - 1 votë për Edi Ramën
Kutia 1765 - 1 votë për Edi Ramën
Kutia 1795/1 - 1 votë për Edi Ramën
Kutia 17 55 - 4 vota për Lulzim Bashën, 2 vota për Edi Ramën
Kutia 17 61- 1 votë për Edi Ramën
Kutia 17 49 - 1 votë për Edi Ramën
Kutia 17 53 - 1 votë për Lulzim Bashën, 6 vota për Edi Ramën
Kutia 17 65 - 1 votë për Edi Ramën
Numërimi, edhe 8 minibashki
Nuk priten surpriza në rezultatin përfundimtar
Në një kohë kur Komisioni Qendror i zgjedhjeve vazhdon numërimin e votave të kontestuara në 365 Qendra Votimi të kryeqytetit si dhe zbardhjen e votave të hedhura në kutinë e gabuar, nuk priten surpriza në rezultatin përfundimtar që pritet të publikohet pas pak ditësh. Kësisoj, duke nisur nga vendimi i Kolegjit Zgjedhor, i cili legjitimoi punën dhe aksionin e KQZ-së në numërimin me transparencë të plotë të çdo vote, institucioni që administron zgjedhjet po realizon me përpikëri udhëzimin e Kolegjit, për numërimin tërësor të votave të hedhura në kutitë e gabuara.
Edhe pse pritet të marrë të paktën një javë kohë, kjo procedurë është sa efikase aq edhe element transparence, çka rrit gjithnjë e më shumë besueshmërinë e zgjedhjeve të 8 majit dhe leximin drejt të votës së qytetarëve.
Kur mbeten dhe Qendrat e Votimit të 8 njësive bashkiake, s’priten surpriza në rezultatin përfundimtar për kryetarin e bashkisë, teksa Lulzim Basha kryeson garën me 76 vota më shumë se rivali i tij, Edi Rama.