E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita: Do kërkojmë largimin e Berishës, Malaj replikon me Ramën: U bëre si Enveri

 

Aristir Lumezi

Partia Socialiste nuk do të kërkojë më vetëm hapjen e kutive, por edhe largi-min e Kryeministrit Sali Berisha. Këtë e bëri të ditur  dje në mbledhjen e grupit parlamentar kreu i selisë rozë, Edi Rama. Në një fjalim para deputetëve socialistë, ku ishin të pranishme edhe mediat, Rama tha se ultimatumin e vendosur nga opozita, kreu i qeverisë e shfrytëzoi për të hedhur një lumë akuzash dhe shpifjesh ndaj saj.
Qëndrimi i PS
“Tanimë për opozitën kutitë nuk janë i vetmi objektiv. Sot nuk e dimë vetëm ne, po e di i gjithë populli se kjo qeveri e kapur mat humbet me shpejtësi çdo ditë të drejtën të qëndrojë mbi kutitë që mban mbyllur. Ne sot e tutje nuk do të kërkojmë më thjesht hapjen e kutive, po largimin e Sali Berishës përderisa kutitë nuk hapen. Hap kutitë ose largohu, kjo do të jetë kryefjala e protestës sonë”, u shpreh Rama. Ndonëse nuk përmendi datë për protestën e ardhshme, kreu i socialistëve tha se ajo do të shtrihet në të gjithë vendin. “Protesta jonë do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, përmes një opozitarizmi që do të jetë kudo ku shqiptarët përballen me pushtetin e së keqes, me pabarazinë shoqërore që thellohet e me arrogancën shtetërore që theksohet, me varfërinë e papunësinë në rritje përballë çmimeve që rriten edhe më shumë, me mungesën e mbështetjes politike e njerëzore në kushtet e braktisjes paralizuese apo të nëpërkëmbjes poshtëruese, nga ana e një shteti që ekziston vetëm për pushtetarët jo për qytetarët”, vijoi më tej kreu i PS-së.
Akuzat
Lideri i opozitës mbështeti publikisht deputetët dhe biznesmenët e sulmuar një ditë më parë nga Kryeministri Berisha, i cili publikoi lejet e ndërtimit, e marra në mënyrë të paligjshme. Rama u bëri thirrje atyre që të bëjnë kallëzim penal në prokurori ndaj kreut të ekzekutivit. Kryetari i PS-së akuzoi kryeministrin se ka uzurpuar pushtetin, por përmendi edhe familjen e tij, e cila sipas Ramës është e përfshirë në afera korruptive. “Si rregull pranë tij një grua e padeshifrueshme që shfaqet në bankete e adete bamirësie apo rri statujë pranë burrit kur e do evenimenti publik i ditës. Pastaj një vajzë që ndodh rëndom të jetë avokate me një zyrë ligjore, ku kalojnë në sitën e interesit jopublik punët e mëdha të shtetit, po si rregull nuk refuzohen as qokat modeste. Nuk mungon një djalë sekser që lëviz si hije pas aktivitetesh, ku dalin gjithnjë zëra për trafik armësh, kolpo në shuma të mëdha që papritur shpërthejnë, ja fjala vjen si atje poshtë në Gërdec, apo shemben, si atje lart në Kalimash”, theksoi më tej kreu i socialistëve. Rama shtoi më tej se PS-ja nuk do të hyjë në Parlament pa u çmontuar në sytë e qytetarëve 28 qershori, të cilin ai e quajti një precedent i rrezikshëm i korrupsionit elektoral.
Familja
Kreu i selisë rozë tha në pjesën e parë të mbledhjes së grupit parlamentar socialist se kryeministri Berisha prej 20 vjetësh ka akuzuar familjet e kundërshtarëve të tij politikë. “Ky njeri, pikërisht ky që në 20 vjet s’ka lënë shtëpi kundërshtari pa futur gjuhën, s’ka lënë krevat pa shkundur, sirtar pa rrëmuar e njeri pa lënduar me xhindosjen e fantazisë së tij mitomaniake, sot ngrihet e u thotë shqiptarëve se unë, kryetari i opozitës, po i sulmokam familjen. Cilën familje po i sulmoj? Familjen e njerëzve që dashurojnë, lindin fëmijë, martohen, grinden, pajtohen, vishen, zhvishen, shkruhen, fotografohen, flirtojnë, ndahen, ikin, vijnë, bien në ujdi, bëjnë krushqi, shoqëri, miqësi, jetojnë lirinë e tyre për të ndenjur bashkë ose jo?!”, theksoi më tej Rama. Lideri i PS-së theksoi se ai vetë nuk ka akuzuar të afërmit e kundërshtarëve të tij politikë dhe nuk do të flasë kurrë për jetën familjare të tyre. “Unë u uroj megjithë zemër, shëndet e mbarësi në familje të gjithë kundërshtarëve politikë dhe kurrë mos provofshin as prindërit as fëmijët e tyre, atë që ka provuar nëna apo djali im, dhe jo vetëm ata po plot prindër, gjyshër e fëmijë të kundërshtarëve të Sali Berishës, për shkak të Sali Berishës. Kurrë mos provofshin gratë a të dashurat e tyre atë që kanë provuar plot gra e të dashura të kundërshtarëve të Sali Berishës, për shkak të Sali Berishës”, tha kreu i PS-së.
Kundërshtarët politikë
Nga foltorja e grupit parlamentar, kreu i socialistëve përsëriti akuzën ndaj kryeministrit Berisha se, në kohën e diktaturës ai ka internuar një familje mjekësh. “Ky që ka internuar dy mjekë të pafajshëm, është njeriu që derdh lot krokodili për të përndjekurit e regjimit, të cilëve u ka dhënë për 20 vjet asgjë hiç përveç shfaqjeve të egërsisë së shtirur aktoriale në foltoren e parlamentit, ku veç me fjalë e ka luftuar si kofini pas të vjelit terrorin komunist, të cilin në fakt e ka ushqyer edhe vetë me zellin e një çerek shekulli, në kohën kur i shërbente diktatorit”, u shpreh Rama. Në fund të fjalimit të tij, ai nuk la pa përmendur edhe ish kryeministrat Meta e Nano, por edhe bashkëpunëtorët e ngushtë të kryeministrit Berisha, Arben Imamin, Neritan Cekën dhe Lufter Xhuvelin, për të cilët kujtoi akuzat e kreut të qeverisë disa vite më parë. “Madje vazhdon pa pikë turpi edhe pasi ka thënë faqe botës, duke u zgërdhirë, se ato që tha 15 vjet për Fatos Nanon, s’duhet t’i kishim marrë seriozisht se Fatosi është figurë historike, ato që tha kushedi sa vjet për Ilir Metën ishin lojë se zoti Meta është nuse për integrim, lëre më pastaj çka thënë për rulët e xhuvelët dhe si i ka bërë helaq imamët e neritanët, që sot i ka çingijet e orkestrës qeveritare e i nxjerr në mexhelis për të kënduar shpifjet e tij”, theksoi në fjalën e tij kreu i opozitës.

Protestat, krerët e opozitës nuk caktojnë datë për protestat

Koalicioni i majtë nuk përcakton ende se cili do të jetë qëndrimi pas skadimit të ultimatumit 10 ditor ndaj kryeministrit Berisha. Krerët e forcave politike të majta dhe të djathta, të cilat janë rreshtuar kundër qeverisë dhe koalicionit të djathtë dolën pa një qëndrim nga takimi i mbrëmshëm në Hotel Tirana. Burime nga ky takim bënë të ditur për gazetën se krerët e partive kanë hedhur mendime të ndryshme, por pa arritur të bindin kreun e PS-së, Edi Rama për hapin e ardhshëm. E vetmja çështje për të cilën duket se kanë rënë dakord krerët e majtë dhe të djathtë është se do presin mitingun e Partisë Demokratike në 8 dhjetor për të vendosur më pas hapin e radhës. Nga qëndrimi publik i kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, duket se kjo forcë është tërhequr nga deklaratat fillestare për të kërkuar tashmë vetëm largimin e Berishës. Në ditën e tretë të protestës në 22 nëntor, Rama deklaroi para protestuesve se në përfundim të ultimatumit 10 ditor do të kërkohet vetëm dorëheqja e kreut të qeverisë. “Në qoftë se brenda 10 ditësh Sali Berisha nuk hap kutitë e votimit për të mbajtur me pahir qeverinë e tij dhe të mbajtur peng duke shkatërruar shtetin dhe ekonominë e shqiptarëve për interesat e familjes së tij, ne do ta ngremë në këmbë popullin shqiptar si një familje të vetme vlerash demokratike dhe do të ndalemi vetëm kur në Shqipëri të jenë shpallur zgjedhjet e parakohshme”, u shpreh Rama në 22 nëntor. Por gjatë fjalës së djeshme në grupin parlamentar ai deklaroi sërish se do të kërkojë hapjen e kutive dhe paralelisht me të edhe largimin e Berishës. Në përfundim të takimit kreu i PLiDr, Spartak Ngjela akuzoi ashpër kryeministrin. “Nuk është revolucion, por qëndresë kundër tiranisë. Ende nuk është caktuar një datë, ndoshta mbledhja tjetër do caktojë datën, por patjetër që do të ketë një datë sa më të afërt.

Malaj replikon me Ramën: E bëre mbledhjen si Enveri

ADI SHKEMBI

Mënyra e organizimit të mbledhjes së grupit të Partisë Socialiste përplas kryetarin Edi Rama me deputetin e qarkut të Vlorës, Arben Malaj. Pasi ka përfunduar fjalën, e cila ka qenë në prani të mediave, kreu i socialistëve i ka kërkuar deputetëve të mbyllë takimin. Në përfundim të saj, Malaj i është drejtuar Ramës për të kundërshtuar mbylljen e mbledhjes pa folur më parë deputetët. “Ç’është kjo mbledhje ku mblidhen 200 të zgjedhur, flisni ju, ata duartrokasin dhe mbyllet mbledhja?”, ka thënë ish ministri i Financave gjatë një bisede të shkurtër me Ramën duke zbritur shkallët e Hotel Tirana. Por kreu i socialistëve i është përgjigjur me fjalët “unë ta shtriva dorën, pse nuk më mirëkuptove?”. Nga ana e tij Malaj i është kthyer me fjalët “tani duhet të mos e laj dorën unë dhe të jem i gëzuar pse ma dhatë ju? Vetëm Enveri e bënte kështu që i mblidhte dhe fliste vetë”. I menjëhershëm ka qenë edhe përgjigjja e Ramës, sipas të cilit “këtë radhë e bëra si Enveri, herën tjetër mund ta bëj si Mehmeti”. Për mënyrën e mbledhjes së grupit parlamentar socialist ka reaguar dje publikisht vetë deputeti i PS-së, Arben Malaj. I pyetur nga gazeta “Panorama” lidhur me këtë çështje ai tha se debati kishte të bënte pikërisht me shqetësimin e tij për mënyrën se si u bë mbledhja, ku foli vetëm kryetari dhe deputetët u larguan. “Thelbi i këtij debati kishte të bënte me shqetësimin që në kohën kur situata politike në vend po tensionohet, në kohën kur PS duhet të jetë më e qartë se kurrë për strategjinë e suksesit të saj politik dhe larg çdo influence negative në zhvillimet ekonomike, sociale dhe integruese të vendit, modeli i takimit, ku thirren rreth 200 përfaqësues të lartë politikë dhe deputetë të PS, ku dëgjohet vetëm fjala e kryetarit të partisë dhe më pas duartrokitje, takimi mbyllet, janë kopjo të modeleve të dështuara politike”, u shpreh Malaj. Deputeti i Vlorës dhe Ben Blushi ishin të vetmit nga grupi i deputetëve të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe që morën pjesë në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar, ndërsa Islami, Harasani e Bello nuk kanë preferuar të jenë të pranishëm. Por edhe Blushi e Malaj nuk mundën të flisnin për qëndrimin e opozitës pas skadimit të ultimatumit 10 ditor për shkak të mbylljes shpejt të mbledhjes nga ana e kryetarit Rama.

Klosi: PS në Kuvend përpara shtatë marsit
Deputetët e Partisë Socialiste nuk do të zëvendësohen në Kuvend, pasi ata do të betohen përpara se t’u mbarojë mandati. Këtë e bëri të ditur dy ditë më parë deputeti i kësaj force politike, Blendi Klosi, i cili është edhe njëherësh sekretar organizativ i kësaj partie. Gjatë një interviste për Tv “Ora Neës”, Klosi duke folur për qëndrimin e forcës më të madhe, pas përfundimit të ultimatumit tha, se “Partia Socialiste do të hyjë në Parlament përpara datës 7 mars për të mos djegur mandatet”. Por intervista nuk u transmetua më gjatë ditës së djeshme, ndryshe nga intervistat e tjera, të cilat ritransmetohen disa herë. Ky qëndrim i shfaqur nga deputeti i PS-së bie ndesh me deklaratat e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili ka deklaruar se partia që drejton nuk do të futet në Kuvend deri sa të plotësohet kushti për hapjen e kutive të votimit. Lidhur me djegien e mandateve të deputetëve të PS-së, për shkak se nuk janë betuar për gjashtë muaj, kanë folur edhe kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli dhe kryeministri Sali Berisha, të cilët janë shprehur se do të zbatohet Kushtetuta.

Bosch: Koha për dialog të qëndrueshëm në Parlament
Komuniteti ndërkombëtar i bën një tjetër thirrje klasës politike në vend, për të gjetur rrugën e dialogut. Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Robert Bosch tha gjatë një komunikimi për mediat se tani ka ardhur koha për dialog të qëndrueshëm mes forcave politike dhe ai duhet të bëhet pikërisht në parlament. Sipas zyrtarit të lartë të Misionit, partitë duhet të përdorin gjuhë më të butë me njëra-tjetrën. “Ka ardhur koha të shohim një dialog të qëndrueshëm, normalisht në parlament. Ka ardhur koha që të dyja palët të fillojnë të afrohen me njëra-tjetrën, duke përdorur një gjuhë më të butë”, u shpreh Bosch. Pak ditë më parë ishte Komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn, që i bëri thirrje opozitës të rikthehet në Kuvend, duke u shprehur se bojkoti nuk është formë evropiane e të bërit politikë. I pyetur mbi protestën 3 ditore të opozitës theksoi se: “Mendoj se do të ishte e rëndësishme që në këtë moment të garantohet, që Shqipëria të tregojë pjekuri dhe stabilitet politik. Dhe unë nuk i shoh bojkotet e Parlamentit si një formë evropiane e të bërit të kësaj gjëje”, thekson Rehn. Gjatë një takimi me zv.kryeministrin Ilir Meta, Komisioneri për Zgjerimin kërkoi nga qeveria gjetjen e një zgjidhje për krizën politike. “Progresi drejt BE kërkon reforma të vështira dhe konsensus politik në prioritete kyçe. Kjo është thelbësore për çdo vend që të bëjë progres drejt BE. Në emër të forcimit të konsensusit politik, i kam kërkuar zv.kryeministrit të gjejë një zgjidhje për bllokadën aktuale politike dhe për bojkotin e Parlamentit prej opozitës”, u shpreh Rehn.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›