Up! Lite, automjeti më ekonomik në botë, nga Volkswagen
Panairin e porsahapur të automjeteve në Los Anxhelos prodhuesi gjerman Volkswagen e ka shfrytëzuar për paraqitjen e automjetit më ekonomik konceptual me hapësirë për katër persona “Up! Lite”. Duke përdorur para së gjithash metodat e kursimit me anë të përdorimit materialeve të lehta, Volkswagen ka arritur që masa e tërësishme e Up! Lite të bëhet në vetëm 695 kilogramë, e me përdorimin e zgjidhjeve inteligjente si kamera në vend të retrovizorëve dhe mbuluesit të rrjetës së ftohësit, i cili hapet vetëm sipas nevojës, koeficienti i rezistencës aerodinamike është ulur në vetëm 0.237 Cw. Rezultat i kësaj është shpenzimi prej vetëm 2.44 litrash karburant në njëqind kilometra të kombinuara në ciklin europian dhe emetimi më i ulët i CO2 prej 64 gramësh në kilometër të kaluar. Automjeti i motorizuar me sistem hibrid me motor turbo 0.8 litrash me naftë e dy cilindra prej 51 kuaj fuqi dhe elektromotorin prej 10 kw mund të lavdërohet për performanca solide 12 sekonda për të arritur shpejtësinë prej 100 kilometra në orë dhe atë maksimale prej 160 km/h. Automjeti i parë Up!, i cili do të jetë një kompakt i vogël qyteti, në rrugët europian do të paraqitet në vitin 2012, e varësisht prej suksesit të tij, pritet që në një të ardhshme të paraqitet edhe versioni limuzinë.
Alfa Romeo 147
Bëhen publike fotografitë e para të modelit
Pas një vargu të fotografive spiune dhe atyre nga fabrikat, Alfa ka marrë guximin të na prezantojë fotografinë e parë të trashëguesit të modelit 147. Emri i këtij automjeti ende nuk është i njohur, ndërsa po përflitet që ai është duke u menduar të jetë në mes të “Milano” apo “Giulietta”. Italianët kanë ende kohë të marrin vendimin, kur merret parasysh se automjeti për herë do të paraqitet vitin e ardhshëm në panairin e automjeteve në Gjenevë. Ajo që dihet është se do të ndërtohet në platformën e re C-Evo të cilën do ta ndajë me modelet tjera nga grupi i Fiatit, përfshirë edhe Chrysler. Automjeti konkurrent i Alfës në segmentin europian C do të jetë i gjatë 4.35 metra, 1.46 metra i lartë dhe 1.8 metra i gjerë, me largësi në mes boshtesh prej 2.63 metrash dhe bagazh prej 350 litrash. Ky model fillimisht do të ofrohet me dy motorë më benzinë - 1.4 TB e 1.4 TB MultiAir me 120, respektivisht 170 kuaj fuqi, si dhe dy me naftë - 1.6 JTDM e 2.0 JTDM me 105 dhe 170 kuaj fuqi.
5 Dhjetor 2009