Mbyllet seanca pa votuar. Berisha: REFERENDUM për heqjen e imunitetit
Një qëndrim që ngre shumë pikëpyetje: Berisha lë të hapur alibinë për të akuzuar opozitën kur të dështojë me marrjen e statusit, ndërsa vazhdon të mbajë imunitetin në fuqi. Nuk dihet fati juridik i referendumit, në një kohë që referendumi për importin e plehrave u shty në kalendat greke. Po ashtu në Kushtetutë thuhet se referendumi bëhet për një amendament të miratuar. Por në Kuvend as nuk u votua fare.
Kryeministri Sali Berisha, i cili e ka lidhur gjithmonë votimin e heqjes së imunitetit me ndëshkimin që do i bëjë populli shqiptar opozitës në vitin 2013, thotë se ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit do shkojnë në referendum. Një sondazh i shfaqur kohët e fundit, ku thuhej se mbi 90 përqind e qytetarëve shqiptarë janë pro heqjes së imunitetit ka qenë nxitja e kryeministrit Sali Berisha për të nisur procedurat për një referendum popullor për këtë çështje.
Ende nuk dihet se cili do jetë fati juridik i një referendumi, nisur nga fakti se pak më parë Berisha bllokoi një referendum për importin e plehrave, që do ishte një goditje për të përpara zgjedhjeve. Nëse do ketë fatin e referendumit të plehrave, atëherë ai do duhet të zhvillohet të paktën vitin tjetër.
Gjatë gjithë seancës Berisha e ka lidhur çështjen e imunitetit me votën kundër opozitës dhe duket se një referendum i mundshëm do ishte një shans i artë për Berishën për të përgatitur alibinë për manipulimin zgjedhor.
Gjatë çdo dalje publike Berisha thotë se shqiptarët do ta ndëshkojnë Ramën me votë për çështjen e imunitetit.
Lëvizja e papritur e Berishës bëri që kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli të mbyllte seancën, pa hedhur në votim nismën, por duke u shprehur se do bëhet siç thotë Berisha.
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se që nga dita e nesërme, mazhoranca do të nisë procedurat për të kërkuar referendum popullor për heqjen e imunitetit.
Berisha iu referua në këtë mënyrë Kushtetutës, e cila parashikon referendumin për ndryshimet kushtetuese.
Amendamenti kushtetues i miratuar i nënshtrohet referendumit, kur këtë e kërkon një e pesta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, thuhet në nenin 177 të Kushtetutës.
Por këtu thuhet se amendamenti duhet të jetë i miratuar.
Ka vetëm një vullnet opozita, bllokim, bllokim, bllokim. Mendoni se do ta fitoni këtë betejë? Kurrë. Kjo betejë do fitohet nga ata që janë të vendosur për një standard të ri moral. Nëse ju sot u bëtë bllok dhe lartësuat murin e korrupsionit dhe imunitetit, që nesër forca ime politike, mazhoranca jonë do tu drejtohet popullit për referendum popullor për heqjen e imunitetit. Të gjithë do të votojmë së bashku në një plebishit të vërtetë heqjen e murit të korrupsionit. Kjo seancë finalizohet me zotimin solemn se do të ecim drejt referendumit popullor, tha Berisha.