E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështimi për imunitetin, Berisha: Referendum

Ky kriter ka të bëjë me kapitullin politik dhe Ministria e Integrimit kishte shpresuar shumë që kjo çështje të mbyllej brenda këtij sesioni parlamentar, çka do të shtonte shanset e marrjes së statusit të vendit kandidat në vjeshtë.

Mazhoranca thotë se statusi rrezikohet seriozisht, duke fajësuar opozitën për dështimin për herë të tretë, ndërsa opozita nuk e lidh këtë çështje shumë me statusin, se sa me luftën ndaj korrupsionit. Sot ishte parashikuar seanca maratonë për këtë çështje. Pas rreth 7 orësh diskutimesh, akuzash e kundërakuzash, seanca u mbyll pa ndonjë rezultat. Ashtu sikurse e kishte paralajmëruar, opozita nuk e dha votën e saj, duke theksuar se votimi do të kryhej pas ndryshimeve të tjera kushtetuese. Rreth 30 deputetë dhanë opinionet pro dhe kundër votimin gjatë ditës së sotme, nga përkatësia e partisë së tyre.

Në fund, Berisha vendosi ta sfidojë opozitën, duke paralajmëruar një referendum për këtë çështje. “Nesër do t’i drejtohemi popullit për një referendum qytetar për heqjen e imunitetit. Do të jetë një votim plebishitar për shembjen e murit të turpit. Sot më shumë se kurrë, ligjvënësit duhet të tregonin më shumë respekt për qytetarët, institucionet dhe të ardhmen evropiane të vendit. Por deputetët e opozitës ngritën murin e bllokimit dhe u përcaktuan në mënyrë unanime se do bllokojnë votimin për heqjen e imunitetit. Deputetët e opozitës do ngrihen në kundërshtim flagrant me interesat e zgjedhësve të tyre”, ka deklaruar Berisha.

Kreu i maxhorancës përmendi sjelljen e opozitës në disa raste kur ka qenë kundër liberalizimit të vizave, kundër marrjes së ftesës për anëtarësimin në NATO, kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve, kundër nënshkrimit të marrëveshjes së MSA-së, kundër ndërtimit të rrugës Tiranë- Elbasan.

"Sot u përballën dy kultura, mendoni se shqiptarët kanë harruar bilbilat dhe dajret në Kuvend, kur Evropa kërkonte të firmoste marrëveshjen e stabilizim-asocimit. E shihni se si ju transformoi ai në sallën e parlamentit, ju tjetërsoi tërësisht. Në vitin 2007, kur ne po bënim gjithçka për një President konsensual, ai bënte gjithçka për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Bëtë të njëjtën gjë dhe për ftesën në NATO dhe për statusin e vendit kandidat në BE", nënvizoi Kryeministri Berisha.

Rama: Jemi të gatshëm për referendum

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi Twitter për çështjen e ngritur tashmë atë të referendumit, duke theksuar se opozita është e gatshme për këtë. “Referendum për Imunitetin? Gati ta pyesim popullin për gjithë paketën e ndryshimeve kushtetuese për drejtësinë, ky do ishte referendumi real! Përderisa për imunitetin kemi rene dakord e për ndryshimet e tjera Saliu fshihet, le t’i ballafaqojmë hapur me popullin vizionet e argumentet! Kështu le tua lëmë shqiptarëve ta ndajnë a duhet ndryshuar në Kushtetutë vetëm pika e imunitetit apo edhe propozimet e tjera të opozitës! Si thua Sali? Nëse ke kurajë jo për t'u tallur me popullin, po për t'u ballafaquar me opozitën përpara popullit eja bëjmë referendumin”, shkruan Rama.

Diskutimet e mëparshme në seancë

Xhafaj: Ndryshimet kushtetuese të votohej njëherësh

Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj, tha se opozita nuk e dha votën e vet për shkak të pritjes së ndryshimeve të tjera kushtetuese, për t’i miratuar në tërësi. “Nuk e votuam projektin në tërësi në pritje të përfundimit të procesit, që do të prodhojë një tekst të integruar përndryshimet kushtetutese, për t'u miratuar më pas në Kuvend. Është e papranueshme që të votojmë dy herë për ndryshimin e Kushtetutës, një herë në gusht dhe një herë në shtator. Ky do të ishte një rast i paprecedentë, që do ta bënte Kuvendin e Shqipërisë e të gjithëve ne, qesharakë. Ky është qëndrimi ynë, askush nuk mund të provojë të kundërtën dhe për më tepër askush nuk ka të drejtë të shpife dhe spekulojë mbi këtë qëndrim të qartë, publik, politik, institucional dhe parlamentar. Ju po mundoheni të bindni shqiptarët se po nuk u votua për këtë çështje nuk na e japin statusin dhe fajin e ka opozita. Alibi e bukur politike, por kam një pyetje në invers, po nëse amendamentet për imunitetin miratohen brenda muajit shtator, siç edhe kërkohet nga komisioneri dhe ne 'larg qoftë' nuk na e japin statusin e vendit kandidat, e kujt është përgjegjësia? Jeni ju të gatshëm ta pranoni këtë përgjegjësi publike dhe të dorëhiqeni nga posti juaj?”, tha ai në orët e para të seancës.

Berisha: Opozita synon bllokimin e statusit

Kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij, theksoi se heqja e imunitetit është një hap me rëndësi në luftën kundër korrupsionit. “Është mirë që t’u themi shqiptarëve se Brukseli, çdo ditë e më shumë thellon kërkesat ndaj atyre vendeve që do të shkojnë drejt tyre dhe këtë e bën duke e nxjerrë eksperiencën dhe në vendet që i anëtarësojnë. Është tërësisht që Rumanisë dhe Bullgarisë nuk iu është kërkuar imuniteti, por është pikërisht që këtyre dy vendeve nuk i kanë të drejtat e Shengenit si vendet e tjera të BE-së”, theksoi ai.

Berisha akuzoi opozitën se qëllimin e vetëm ka bllokimin e statusit të vendit kandidat. “Kujt t’i besoj, Fatmir Xhafës që më 12 korrik kur u vendos data, nuk foli dhe nuk kundërshtoi, apo Fatmir Xhafës që sot thotë se kjo datë u vendos në mënyrë të njëanshme. Z. Xhafaj, ju kërkoni që ky votim të bëhet në shtator. Bllokoni sot, vetëm për një qëllim, për të bllokuar statusin për të tretën herë. Përcaktoni si kusht atë që shqiptarët s’ua japin, që ju të bllokoni shtetin dhe institucionet kushtetuese. Dhe këtë e bënin me qëllime të papranueshme për shqiptarët. Presidentin e morën ata që në përputhje me Kushtetutën e vendit kishin votat. Kur e miratoi, kryetari juaj e vendosi pasi mendoi se do të ishte kryeministri i radhës dhe një nga ju do të ishte Presidenti i radhës”, shtoi ai.

Kryeministri u shpreh se opozita kërkon Kushtetutë me sundimin e pakicës. “Të kërkosh që Presidenti të rikthehet dhe të votohet me 3/5-t, po kështu edhe kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, atë të Lartë dhe kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ju e latë vendin dy vite peng dhe ju na thoni pastaj ta bëjmë sepse kemi modelin e mrekullueshëm të obusmenit. Cili ishte modeli? Dy vjet Shtetit shqiptar pa obusmen. Tani doni katër vjet të tjera për kryetarët e gjykatave. Kjo nuk mund të arrihet. Kryetari juaj iu çoi nga disfata në disfatë. Lider nuk mund ta bëjë unë atë. Ne vijmë sot këtu pasi kremi pranuar çdo gjë që ju keni propozuar”, shtoi ai.

Deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri, tha se Sali Berisha prej 7 vitesh në pushtet, akuzon opozitën për korrupsion. "Sali Berisha, mazhoranca e tij dhe qeveria e tij janë 7 vjet në pushtet por ndërkohë Edi Rama, opozita dhe ne të tjerët kemi faj për korrupsionin e pastaj për varfërinë e për të tjerat. Është më mirë të kesh prokuror të pavarur me koston që të shahet nga kryeministri ditë e natë si lavire apo horr se sa të kesh nesër një horr apo një lavire që ta emërojë kryeministri pa pasur nevojë ta shajë nesër lavire apo horr. Dhe shoferi i kryeministrit ka galerinë e vet në Bulqizë, aty ku vdesin minatorë dita ditës", theksoi ai. 

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, rikujtoi se heqja e imunitetit është i vetmi kusht i KE-së ende i paplotësuar dhe mos votimi i tij do të ishte bllokim i marrjes së statusit të vendit kandidat. "Kam kërkuar që heqja e imunitetit të jetë kusht i negociueshëm", tha Bregu.

Deputeti socialist, Ditmir Bushati, njëherësh kryetar i komisionit të Integrimit, tha se çështja e kufizimit të imunitetit është e zgjidhur, por duhet të shoqërohet me çrrënjosje të pandëshkueshmërisë.  “Duhet të jetë e qartë për të gjithë që çështja e kufizimit të imunitetit është një çështje e zgjidhur, për të cilën ne socialistët e kemi dhënë votën tonë pro. Sot është momenti që të hedhim disa hapa që garantojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Ndaj duhet të eksplorojmë të gjithë mundësitë që krahas ndryshimeve kushtetuese që kufizojnë imunitetin, të votojmë edhe ato ndryshime kushtetuese që i përgjigjen në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkesës së qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi, e që do ta vendosnin Shqipërinë një hap më afër marrjes së statusit të vendit kandidat. E ardhmja është zgjedhja që bëjmë ne, jo një fatalitet. Të injorosh problemet me të cilat përballet shoqëria shqiptare sot, do të thotë të humbasësh me vetëdije shansin për t’i ndryshuar ato”, tha ai.

Deputeti i PS, Taulant Balla, deklaroi sot në seancën plenare të Kuvendit, ku po diskutohet për heqjen e imunitetit, se imuniteti nuk është e vetmja pengesë drejt statusit kandidat, pasi, sipas tij, "KE ka thënë se nuk i kemi përmbushur kërkesat për statusin". "Nuk mund të ndryshojmë Kushtetutën sa herë dëshiron Berisha. Ne i dalim përballë drejtësisë, kurse Berisha e ka frikë drejtësinë. KE na ka thënë se nuk i kemi përmbushur kërkesat për statusin. Ne do të hetojmë për paratë e Kryeministrit dhe për Lotarinë Kombëtare, Berisha nuk e do imunitetin, por do të dhunojë Kushtetutën", u shpreh Balla.
  
Më herët edhe kolegu i tij socialist, Eduard Shalsi, e konsideroi seancën e sotme parlamentare një dështim, pasi, sipas tij, 6 gushti është një datë e vendosur në mënyrë të njëanshme nga PD. "Kjo seancë do të dështojë sepse PD e vendosi datën jashtë çdo rregulli parlamentar. Ju nuk e keni seriozisht çështjen e imunitetit, nuk ofroni zgjidhjen e imuniteteve, por e impononi atë. Berisha po synon të zhvendosë vëmendjen nga problemet madhore", tha Shalsi.

Ndërkohë për deputetin e PS-së dhe njëkohësisht relator i draftit për heqjen e imunitetit, Pandeli Majko, "ndryshimet kushtetuese vlerësohen si hap i rëndësishëm për barazinë para ligjit".  "Në historinë e parlamentit pluralist shqiptar deputetët i kanë miratur gjithnjë kërkesat e Prokurorëve për heqjen e imuniteteve dhe i kanë hapur rrugën hetimit të deputetëve të çfarëdolloj partie. Kjo e rrëzon pikëpamjen se imuniteti parlamentar pengon luftën ndaj korrupsionit", tha Majko.

 "Ka vetëm një imunitet që dëmton ndëshkueshmërinë dhe kjo ka të bëjë me mbrojtjen që i bëhet disa zyrtarëve. Ne socialistët i qëndrojmë opinionit se në Shqipëri duhet hequr më parë imuniteti politik. Është imuniteti politik ai që pengon dhe jo kushtetues. Ai tremb çdo gjykatës shqiptar. Drejtësia që nuk godet, korruptohet. Kjo është sfida etike që duhet t’i qëndrojmë ballas", tha Majko. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-08-06 19:05
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›