E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllet sot misioni i raporterëve të KiE: Institucione të pavarura

TIRANË-  Dy raportuesit e Këshillit të Europës Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco kanë vijuar edhe sot takimet në Tiranë. Dy raportuesit e KiE u pritën sot në një takim nga presidenti i vendit Bamir Topi, kreu i LSI-së Ilir Meta. Më pas dy raportuesit kanë takuar ministrinë Drejtësisë, Eduard Halimi si dhe kryeprokuroren Ina Rama. Të gjitha takimet janë zhvilluar pa praninë e medias. Pasdite dy raportuesit do takohen me kryeministrin Berisha dhe më pas do të mbahet edhe një konferencë shtypi.

Topi: Duhet ruajtur pavarësia e institucioneve
Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në një takim të veçantë anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të cilët ndodhen në vendin tonë, në kuadër të një misioni faktmbledhës. Zyra e shtypit e Presidencës bëri të se kreu i Shtetit dhe anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës vlerësuan dialogun e rivendosur midis mazhorancës dhe opozitës, të konkretizuar me ‘Planin e Rishikuar të Veprimit’ në kuadër të përmbushjes së 12 prioriteteve kyçe të Opinionit të Komisionit Evropian, si një hap i domosdoshëm për të realizuar aspiratën e popullit shqiptar për integrim zyrtar në Bashkimin Evropian.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe mbi zhvillime të tjera parësore të vendit, mbi ecurinë e deritanishme të reformave elektorale dhe parlamentare, mbi luftën kundër korrupsionit, për çështjet e pronave si dhe mbi hetimet për ngjarjet e 21 janarit 2011, për të cilat ndanë të njëjtën pikëpamje se “në një vend të vërtetë demokratik, mbi të gjitha e në çdo rast duhet të ruhen e të mbrohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, por dhe pavarësia e institucioneve kushtetuese, sidomos për funksionimin e suksesshëm të shtetit të së drejtës”.

Bashkëraportuesit e Këshillit të Evropës e siguruan Presidentin Topi për gatishmërinë e vazhdueshme të Këshillit të Evropës për të asistuar Shqipërinë në proceset e saj demokratike, duke theksuar gjithashtu se “dëshira dhe vullneti i mirë për të punuar siç duhet, dhe miradministrimi i të gjitha potencialeve të vendit do të sjellin natyrshëm zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe fuqizimin e saj edhe në kuadër të integrimit të pritshëm në gjirin e familjes së madhe evropiane”.

Meta: Shqipëria meriton statusin kandidat brenda vitit
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta priti bashkë-raporterët z. Tomas Jirsa, z. Grigore Petrenco dhe z. Bas Klein në selinë e LSI-së, në kuadër të vizitës faktmbledhëse të raporterëve të Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Shqipëri,

Në takimin e zhvilluar në selinë e LSI, kreu i kesaj partie Ilir Meta e ka cilësuar reformën zgjedhore kyce për demokracinë dhe theksoi se është e rëndësishme që sistemi elektoral të garantojë përfaqësim real të votës. Sipas Metës Shqipëria meriton statusin e vendit kandidat për në BE brenda këtij viti si një hap të merituar dhe kyç për të ardhmen e vendit, duke theksuar se partitë politike duhet të bashkëpunojnë në mënyrë institucionale dhe konstruktive për realizimin e plotë të reformave të nevojshme në interes të integrimit evropian të Shqipërisë.

Ina Rama: Konsolidim të institucioneve të pavarura
Në takimin me Prokuroren e Përgjithshme bashkëreportuesit u interesuan mbi çështjet që lidhen me drejtësinë shqiptare, duke e vënë theksin tek lufta kundër korrupsionit, çështja e 21 janarit si dhe marrëdhëniet midis institucionit të akuzës me gjykatat dhe ekzekutivin.

Kryeprokurorja Rama garantoi raportuesit e KiE për vendosmërinë e institucionit që ajo drejton për zbardhjen 21 janarit pavarësisht problematikës me të cilën është ndeshur gjatë hetimit institucioni i akuzës.
(ma.ar/el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›