E Diel, 1 Nëntor 2026

Alternativa Civile: Pushteti vendor, vetëm dy mandate

Tiranë- Politika e majtë dhe e djathtë ka mbështetur nismën e Alternativës Civile për kufizimin e numrit të mandateve të të zgjedhurve vendorë. Alternativa Civile, një lëvizje që përmbledh pjesëmarrësit në programet e shkëmbimit të Departamentit Amerikan të Shtetit si dhe intelektualë të tjerë, jashtë angazhimeve politike, propozoi zyrtarisht nismën për çeljen e një debati politik dhe publik, për të prodhuar një mekanizëm ligjor që do të limitonte numrin e mandateve të të zgjedhurve vendorë.

Vëzhgimet e kësaj lëvizjeje tregojnë se mbi 30 % e të zgjedhur vendorë që dolën nga zgjedhjet fundin, kryetarë komunash e bashkishë, janë duke konsumuar mandatet nga 3 deri në 6.

Në një tryezë debati të organizuar në prezantimin e kësaj nisme, drejtuesi i Alternativës Civile, Mentor Kikia, tha se edhe pse në dukje të parë kjo është një mënyrë demokratike dhe çdo kush ka drejtë të qeverisë për aq kohë sa votohet, bazuar në realitetin tonë politik, social e kulturor, ne vlerësojmë se ka një sërë handikapesh për të cilët ne propozojmë këtë diskutim.

Ne jemi të bindur se jetëgjatësia në qeverisje çon në privatizimin e pushtetit. Ne jemi të bindur, se në këto njësi, drejtuesit e tyre kanë konsoliduar tashmë mekanizmin e riciklimit të pushtetit të tyre përmes korrupsionit, blerjes së votës apo krijimit të grupeve klienteliste- theksoi Kikia.

Ky mekanizëm, i dukshëm më shumë në zonat rurale, edhe për shkak të nivelit të ulët të kulturës demokratike, e ka devijuar sistemin, duke e deformuar demokracinë.

Duke mbrojtur idenë se çdo kush konsumohet nga koha e gjatë e qëndrimit të pushtet, se ai shteron nga idetë dhe energjitë dhe në kushtet kur standardet e demokracisë dhe morali politik lënë shumë për të dëshiruar, ne propozojmë prodhimin e mekanizmave ligjore për të limituar deri në dy mandate kohën e qeverisjes për të zgjedhurit vendorë. Ne çmojmë se kjo praktikë nuk e cënon aspak demokracinë universale, pra të drejtën e njëriut për tu zgjedhur, por vë në kornizë dhe sanksionon atë që duhej ta bënte morali politik i çdo pushtetari, i cili me vullnetin e tij duhej t’i hapë rrugë ideve dhe energjive të reja”- vijoi Kikia.

Kikia shtoi: ‘Ne çmojmë se kjo kirurgji ligjore është e nevojshme në kushtet tona. Përvoja e vendeve të tjera si Italia, ka treguar se mund të jetë në zgjidhje kur këtë e diktojnë kushtet specifike. Partitë janë pjesë e këtij mëkati ndaj demokracisë, pasi gjatë përzgjedhjes së kandidatëve për drejtues vendorë më shumë se nga cilësitë e njeriut ato joshen nga njeriu që është në gjendje të sigurojë fitoren, pavarësisht se si e siguron dhe çfarë mekanizmash përdor. Por edhe në rastet kur partitë kanë kërkuar t’i zëvendësojnë disa pronarë komunash e bashkishë, ato janë përballur me kërcënimin: Po nuk më kandiduat dal i pavarur dhe ju prish punë’.

Kikia ka theksuar se disa persona e kanë shndërruar në pronë të tyre postin që mbajnë dhe jo pak i vogël është dëmi që i shkaktojnë shoqerisë sonë.

“Ne jemi koshientë që kjo praktikë që ne propozojmë mund t’i kufizojë të drejtën një numri personash që realisht mund ta meritojnë të qeverisin për një kohë më të gjatë, duke e justifikuar me punën e mirë që bëjnë. Por ne jemi po kaq koshientë se numri i atyre që janë shndërruar pronarë të pushtetit të tyre është shumë më i madh dhe pa kaq më i madh është edhe dëmi që i bëjnë shoqërisë dhe sistemit të demokracisë në tërësi’- theksoi Kikia.

Drejtuesi i Alternatives Civile ka nënvizuar domosdoshmërinë e hartimit të ligjeve që burojnë nga realiteti i vendit tonë.

“Eshtë bërë normë tashmë që ne, për çdo praktikë që duam të instalojmë, duhet t’i referohemi ligjeve të vendeve të tjera, por ne mendojmë se ligjet e një vendi duhet të burojnë nga realiteti dhe t’i shërbejnë kurimit të këtij realiteti dhe jo të kopjohen apo edhe më keq, të diktohen nga standartet e vendeve të tjera. Dhe ne sot kemi nevojë për të vendosur kufinj ligjorë për pushtetarët që sot e kanë ndërtuar përmes parasë dhe korrupsionit mekanizmin e riciklimit të pushtetit të tyre. Ata preferojnë të thonë se kjo është demokraci, ndërsa ne mendojmë se kjo është një demokraci e deformuar. Derisa ndër këto anë të mbërrjë kultura demokratike, sipas të cilës ne ta votojmë një kandidat jo për shkak të logos politike dhe parave që shpërndahen një natë para zgjedhjeve, por për shkak të projekteve që ai ofron, ne propozojmë këtë ndërhyrje ligjore- tha më tej Kikia.

Të pranishëm në këtë tryezë, një grup deputetësh të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, mbështeten këtë ide. Deputetët socialistë Besnik Baraj, Asllan Dogjani dhe Gazmir Bizhga theksuan se kufizimi i numrit të mandateve është i nevojshëm pasi në zonat rurale, krerët e komunave janë shndërruar në bajraktarë të pushtetit e madje mund të mendojnë ta lënë edhe trashëgim tek fëmijët e tyre.

Deputeti Baraj tha se kjo mund të shërbejë si një standart i cili mund të shtrohet më vonë edhe në hallka të tjera të pushtetit, si ekzekutivi, legjislativi apo edhe brenda partive në forumet drejtuese të tyre. Deputeti Enkelejd Alibeaj, tha se mund të zbatohet parimi që zyrtarët lokalë të mos kenë të drejtë të zgjidhen më shumë se dy herë radhazi, por mund të garojnë sërish pasi të kenë bërë një shkëputje prej të paktën një mandati.

Alternativa Civile, do të vazhdojë serinë e diskutimeve për këtë çështje duke krijuar një grup pune për të hartuar edhe amendamentet përkatëse.

Shkrime të tjera me interes:

  1. Gjirokastër- Dëbora, pushteti vendor nuk kryen detyrën Gjirokastër- Shkarkimi nga puna i drejtorit të Ndërrmarrjes së Rrugëve...
  2. Lind “Alternativa Civile”, nevojë për një shoqëri civile më aktive Në mënyrë graduale, politika përcau dhe zhbëri sindikalizmin. Krerët e...
  3. Invalidët pa para, Ksera: Pushteti vendor fryu listat për fushatë Tiranë- Ministria e Punës ka deklaruar se përgjegjëse për vonesat...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›