Mbyllet tenderi i tumoreve, prokurohen 16 lloje barnash
Një lajm i mirë për pacientët që aktualisht trajtohen në shërbimin e onkologjikut, të cilët për disa kohë kanë vuajtur mungesën e ilaçeve. Disa prej barnave të munguara kanë mbërritur dje, ndërkohë që një sasi e konsiderueshme medikamentesh pritet të depozitohet në farmacinë e spitalit menjëherë pas firmosjes së kontratave. Drejtoria spitalore universitare “Nënë Tereza” ka sqaruar se janë mbyllur procedurat e tenderimit për blerjet e barnave në shërbimin e onkologjikut, ndërkohë që pritet të firmosen edhe kontratat e fundit mes palëve.
Bëhet fjalë për blerjen e plot 16 lloje citostatikësh, barna këto që përdoren të gjitha për pacientët me tumore.
Drejtoria e spitalit sqaroi javën e kaluar se kishte shpallur procedurat për nisjen e tenderit, ndërkohë që këtë javë ka sqaruar se blerjet e para kanë përfunduar dhe janë në fazë pune firmosjet e dokumenteve për sa i takon furnizimit.
Ankesa dhe kërkesa për pajisje me medikamenteve kanë mbërritur në muajin mars pranë spitalit “Nënë Tereza”. Pacientë, të afërmit e tyre dhe specialistë kanë kërkuar nga drejtoritë përkatëse të kryenin sa më shpejt blerjet dhe furnizimet me ilaçe në shërbimin e onkologjikut, i vetmi ky në të gjithë vendin, që trajton sëmundje tumorale. Kimioterapitë apo preparatet e tjera që përdoren për kurimin e fazave të tumoreve janë të pazëvendësueshme me barna të tjera, si dhe mungesa e preparateve rëndon më tej gjendjen shëndetësore apo përkeqësimin e sëmundjes.
Ilaçet e munguara të onkologjikut ishin nga më elementaret, të cilat kryesisht përdoren për trajtimin e kancerit të gjirit, për tumoret në qafën e mitrës, limfomat. Për këto tri diagnoza mungonin barna si adramicine, cisplatine, endoxan, taxol. Në këto kushte pacientët janë të detyruar t’i blejnë deri në mbërritjen e furnizimit.
Të tjerët, me mundësi të kufizuara ekonomike, si mbetet asnjë zgjidhje përveç se të rrinë në pritje. Shërbimi i onkologjikut është një nga më të shtrenjtit. Kurat dhe trajtimet që pacientët duhet të kryejnë janë tepër të shtrenjta. Trajtime të tilla kanë një kosto të lartë përballimi, duke nisur nga kosto ditore, barna, diagnostikim, si edhe terapi mbështetëse.
#