E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo merr portofol dhe kompetenca nga Olldashi

Vendimi Topi dekreton ndryshimin e strukturës së qeverisë

Genc Pollo, që nga dita e djeshme nuk është më as ministër Shtetit, por as pa portofol. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka firmosur dje ndryshimin struktural të kabinetit qeveritar, që legalizon krijimin e një dikasteri që drejtohet nga ministri fillimisht pa portofol, Genc Pollo. Dje, kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, me propozim të Kryeministrit Sali Berisha dekretoi ndryshimin e emërtesave të ministrave të kabinetit qeveritar. Kështu, Sokol Olldashi do të kryejë detyrën e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit dhe Genc Pollo, atë të ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit. Realisht ka ndodhur një ndryshim struktural në kabinet, por që ka ardhur “pa zhurmë” drejt kërkesës për një dekret presidencial. Në fakt, në dekretin e 14 shtatorit të vitit 2009, ku Presidenti Topi firmosi kabinetin e ri qeveritar të krijuar nga aleanca mes PD-së dhe LSI-së, Sokol Olldashi, figuron si ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Ndërsa Genc Pollo, si ministër Shteti për Reformat dhe Marrëdhëniet me Kuvendin. Pra Pollo nuk kishte dikaster dhe funksiononte si një anëtar i kabinetit pranë Kryeministrisë. Por me ndryshimin e ri, Pollo, përveç faktit se merr një portofol, realisht ai rezulton edhe të jetë edhe i “majmë”, ngaqë ministria që ai tashmë drejton ka në varësi sektorin e telefonisë, atë fikse dhe të lëvizshme në vend, i cili qarkullon në vit gati 300 milionë euro. Por përveç telefonisë ministri Pollo do të ketë në varësi dhe “New technology”, pra internetin i cili gjithashtu po shndërrohet dita-ditës në një sektor që qarkullon shuma të mëdha të ardhurash. Me dekretin e djeshëm të Presidentit Topi, Pollo kthehet në ministrin e gjashtë të fuqishëm të qeverisë pas Metës, Bashës, Bodes, Olldashit dhe Priftit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›