Mbyllet tregu në Durrës për mospagesë taksash
Tregu, që ndryshe jemi mësuar ta quajmë “i gabit”, në Durrës prej disa ditësh është mbyllur. Kjo, pasi tregtarët e gabit refuzojnë të paguajnë taksat e bashkisë. Ka disa ditë që ky treg në Durrës është mbyllur për shkak të një përplasjeje që ka lindur mes tregtarëve të rrobave të përdorura dhe bashkisë së qytetit. Përplasja ka nisur për shkak se këta tregtarë nuk pranojnë të paguajnë taksat bashkiake. Që nga koha kur ata e kanë nisur këtë aktivitet e deri më sot, nuk kanë paguar asnjë lek për taksat vendore, në një kohë që ligji e ka përcaktuar qartë detyrimin që kjo kategori biznesi i detyrohet shtetit. Bashkia e Durrësit ka vendosur që, duke nisur nga ky muaj e në vazhdimësi, tregtarët e rrobave të përdorura duhet t’u nënshtrohen pagesave të taksave vendore njëlloj sikurse tregtarët e prodhimeve industriale. Madje, bashkiakët kanë qenë kategorikë në vendimin e tyre, aq sa e kanë mbyllur tregun deri në vjeljen e taksave. Vangjush Dako, kryetar i Bashkisë së Durrësit, deklaroi për “standard” se “në bazë të ligjit çdonjëri prej këtyre tregtarëve duhet të paguajë në bashki 8 mijë lekë për taksa në vit. Ata deri tashti nuk kanë paguar asnjë lek për taksat vendore dhe kjo ka vite”.
Ndërsa tregtarët e gabit shprehen se “nuk janë në gjendje të përballojnë taksën e bashkisë si dhe qeranë mujore që u merr pronari i mjedisit ku ata ushtrojnë biznesin e tyre”. Ata sqarojnë se për çdo muaj i paguajnë atij 6 mijë lekë për vendin ku shesin dhe nuk u del që t’i paguajnë të dyja këto detyrime. Në Durrës numërohen 330 tregtarë, të cilët shesin rroba të përdorura.
Ata janë vendosur në mjediset e katit përdhes të një pallati, ngjitur me tregun industrial. Duke u nisur nga reagimi i tyre, kryetari Dako tha: “Ne mund t’u bëjmë atyre një ulje deri në 30% të vlerës së taksës vjetore, por këtë nuk mund ta vendosim ne, por Këshilli Bashkiak, i cili do të mblidhet këto ditë”.
Bashkia e Durrësit është e vendosur që në fillimvitin 2010, të rrisë nivelin e të ardhurave të veta nga grumbullimi i taksave. Madje, ajo ka propozuar edhe rritjen e dy prej taksave në paketën fiskale, e cila shërbeu për ndërprerjen e mbledhjes së radhës të Këshillit Bashkiak.