Nxënësit, libër për tu bërë qytetar europian
Nxënësit e shkollave do të kultivojnë mendime europiane për çështjet gjinore, të mjedisit dhe qytetarinë
Botim ekstra kurrikular për barazinë gjinore
Për të qenë qytetar europian nuk mjafton vetëm të kesh mundësi për të qarkulluar lirshëm në vendet e Bashkimit Europian. Për të marrë këtë “status” kërkohet plotësimi i disa standardeve e mbi të gjitha unifikim i mendësive perëndimore, tolerancë komunikimi, sidomos për çështjet e mjedisit, qytetarisë e problemet gjinore.
Për të kultivuar një brez, sipas këtyre standardeve të kërkuara, në sajë të një bashkëpunimi multidisiplinor është realizuar botimi më i ri për nxënësit e shkollave. Ky libër, i cili do të shpërndahet në shkolla, do të jetë një material shtesë, kurrikula ekstra për të gjithë nxënësit. Në saj të këtij botimi mendohet se do të ketë hapësira për promovimin e vlerave europiane të lidhura ngushtë me çështje tepër të ndjeshme, për të cilat brezat e vegjël duhet të kenë mendime të konsoliduara dhe të vërteta, duke stimuluar kështu një klimë më të “ngrohtë” për të ardhmen e Shqipërisë dhe tolerancë mendimesh me BE-në.
Qëllimi i këtij projekti është integrimi i përkatësisë gjinore në procesin e të mësuarit në shkolla, i fokusuar në promovimin e eksesit të barabartë të grave dhe vajzave në arsimin cilësor me qëllim eliminimin e të gjitha llojeve të pabarazive sociale, ekonomike, politike e gjinore.
Botimi është përgatitur nga një grup i kualifikuar autorësh të njohur në fushat përkatëse, është i ndarë në 8 kapituj që trajtojnë përkatësinë gjinore lidhur me çështje të tilla, si të drejtat e njeriut dhuna në familje, shëndeti riprodhues, qytetaria, mjedisi, zhvillimi i karrierës dhe integrimi europian. Libri është me vlera njohëse dhe praktike për çdo qytetar të interesuar në barazinë e drejtësinë gjinore.
Lançimi i këtij programi ekstra kurrikular për shkollat e mesme ka për qëllim të njohë pjesëmarrjen, e ftuar mësuesit, si dhe publikun mbi rëndësinë e futjes së programeve me ndjeshmëri gjinore në shkollat e mesme, si dhe të prezantojnë përmbajtjen e programit të mësuesve e të nxënësve.
Sipas qendrës “Aleanca gjinore për zhvillim”, edukimi i brezave të rinj me një frymë të drejtësisë gjithmonë besohet të krijojë shoqërim më harmonike dhe evidentim të vlerave demokratike të atyre që respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
“Ende bota, popujt, individët, gratë dhe burrat, fëmijët dhe të rritur, njerëzit me ngjyrë ose jo ndeshen me pabarazi të shumta. Trajtesat teorike, filozofike e politike, si edhe praktikat e institucioneve ndërkombëtare dhe të shteteve demokratike janë të orientuara gjithnjë e më shumë drejt eliminimit të të gjitha llojeve të pabarazive sociale, ekonomike, politike dhe asaj gjinore. Një pritje e tillë është reflektuar edhe në procesin e të mësuarit në shkolla në programe dhe tekste shkollore”, shkruhet në botimin ekstra kurrikular për nxënësit e shkollave.
Në libër jepet parashtrimi i ideve të rëndësishme i legjislacionit bashkëkohor i informacionit të ri apo statistikave domethënëse, ndjek pothuajse të njëjtën strukturë në secilin prej kapitujve.
#