Sokol Shupo: Ka ikur koha kur i bëhej përshtypje pushtetit!
Përplasja mes disa pedagogëve dhe dekanit të Fakultetit të Muzikës, Sokol Shupo, ka për temë debatin se ky i fundit ka përvetësuar gradën “Doktor i shkencave”. Por, si duket, çfarë po ndodh këto ditë në Akademinë e Arteve, në Fakultetin e Muzikës, i ka ndarë pedagogët në dy grupe: ata që vlerësojnë punën e dekanit, profesor Shupos, e që e duan në krye dhe ana tjetër që duan ta demaskojnë, deri në kërkesën për dorëheqje nga posti publik i dekanit, si dhe shkarkimin e tij nga Komisioni i Kualifikimit Shkencor pranë MASH-it.
Për këtë në konferencën për shtyp të iniciuar nga një grup profesorësh të Fakultetit të Muzikës rrjedha nuk ka qenë e zakonshme, si pasojë e përplasjes së dy grupeve të pedagogëve. I vetmi fakt që nuk mohohet është se zyrtarisht dekani Shupo ende nuk e ka të ligjëruar gradën “Doktor i shkencave”, ashtu siç e pohon edhe ai vetë në intervistën ekskluzive për “standard”, por nga kjo kundërthënie dekani pohon të tjera arsye pse ka shkuar deri në këtë pikë konflikti në Fakultetin e Muzikës. Shupo e trajton krejt ndryshe gjithë këtë situatë, gjë që duket pak larg arsyes profesionale siç thotë se pretendojnë kolegët e tij muzikantë.
Si e komentoni kërkesën e grupit të profesorëve të Fakultetit të Muzikës, që kërkojnë dorëheqjen tuaj nga dekan i Fakultetit të Muzikës?
Këta “profesorë” kanë qëkur humbën zgjedhjet që nuk qetësohen dot me të vërtetën e humbjes. Por, siç e dinë mirë të gjithë kolegët e tjerë (fakulteti ka rreth 240 pedagogë brendshëm dhe të jashtëm, ndërsa këta njerëz nuk janë më shumë se pesë veta), këta njerëz kanë bërë kështu edhe drejtuesit e mëparshëm të Akademisë së Arteve dhe Fakultetit. I kanë përgojosur, i kanë mallkuar dhe u kanë punuar qindin prapa kurrizit. Ndryshimi është se këtë rradhë dolën hapur. Megjithatë, ju siguroj se absolutisht pjesa më e madhe e profesorëve të Akademisë nuk mendojnë si ata. Ju i patë reagimet ndaj tyre në edhe Konferencën e shtypit.
Pse mendoni se ka ardhur ky reagim?
Këtyre njerëzve, me reformën që po kryhet në Fakultetin e Muzikës, u janë prekur interesat. Sot në këtë fakultet nuk dëgjon më të flitet për ryshfete, për shfrytëzim të studentëve, për mësim që nuk bëhet ose për përfitime të tjera të paligjshme dhe abuzive. Të paktën jo në dritë të diellit dhe me mburrje, sepse asnjë nuk e di se çka tjetri nën lëkurë. Pjesë e reformimit qe edhe ndalimi i mësimit të palicencuar privat që bëhej nëpër ambientet e Akademisë dhe shumë gjëra të tjera si këto.
Nga ana tjetër reforma po nxjerr në pah edhe nivelet e ndryshme të përgatitjes dhe zotësisë të pedagogëve dhe kështu disave po u bie aureola me të cilin e kishin stolisur veten. Ju e kuptoni se kjo “zhveshje” është shumë e dhimbshme dhe do të zgjojë patjetër kundërveprime të dhunshme dhe jashtë arsyes normale. Megjithatë, ata janë vetëm një pakicë me të vërtetë e mjerueshme, sepse pjesa më e madhe e kolegëve, njerëz të shquar të muzikës shqiptare, jo vetëm që nuk mendon si ata por edhe i dënon, siç ndodhi edhe gjatë “konferencës për shtyp” që dhanë.
Unë nuk dua të bie në nivelin e tyre dhe t’u numëroj “bëmat”, por është e njohur në fakultet (edhe historikisht) se këta njerëz nuk bëjnë asgjë tjetër të gjithë ditën e ditës dhe netëve, veçse merren me thashetheme, kurdisin “peticione”, manipulojnë firmat e studentëve, dërgojnë letra anonime ose botojnë artikuj me emër për të bërë përshtypje te pushteti dhe për ta vënë atë në sedër. Këta njerëz kanë sindromën e sekretarit të rinisë që i përgjigjen “flakë për flakë” situatës. Boll që të ndodhë ndonjë gjë që s’ka fare lidhje me dekanin dhe me reformën dhe ata e “përkthejnë” me fantazinë e tyre të sëmurë në situatën e Fakultetit të Muzikës. A e dini që këta njerëz rrëmojnë deri në kompjuterat e kolegëve të tyre për të mbledhur materiale dhe për të bërë më pas shantazh mbi ta?
A mund të na pohoni se ju keni bërë përvetësim të paligjshëm të gradës shkencore “Doktor i shkencave”, ashtu siç thonë profesorët që kanë lëshuar deklaratë për shtyp? Cila është e vërteta juaj?
Në të vërtetë, gjatë studimeve për doktoraturë pranë Institutit të Muzikologjisë në Insbruck të Austrisë unë kam shlyer të gjitha provimet e domosdoshme në semestrin e dytë të vitit 2000 dhe semestrin e dytë të vitit 2001. Meqë këta semestra e përmbushnin vitin sabatik që lejon ligji për kualifikim pa shkëputje nga puna, disa prej atyre njerëzve që ju dëgjuat sot, nuk më lejuan që të shkoja përsëri dhe të përfundoja dorëzimin e tezës. Në vitin 2007, po të njëjtët njerëz nuk më lejuan përsëri dhe kështu doktoratura mbeti në proces edhe më vonë pasi puna intensive për reformimin e fakultetit më la pak kohë për t’u marrë me të. Pra, nuk mund të bëhet fjalë për përvetësim. Gabimi im qe që u nxitova dhe e shkrova para kohe. Megjithatë, në asnjë rast nuk kam dorëzuar ndonjë dokument të falsifikuar (diplomë) të tillë dhe nuk kam pasur prej kësaj asnjë përfitim abuziv. Titullin “Profesor” e kisha marrë në dhjetor të vitit 1999 dhe as që kisha nevojë të kryeja studime të tjera për të kryer të gjithë atë veprimtari (krijime, dhjetëra tituj librash, dhjetëra aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare etj) me të cilën e kam vënë emrin tim me djersë. Për çdo rast, nuk veprova mirë që u nxitova dhe tani më duhet të mbaj koston morale të këtij veprimi. Sa për institucionet, Këshilli i Etikës së Akademisë të Arteve dhe rektorati e kanë ndjekur problemin dhe kanë mbajtur ndërkaq një qëndrim zyrtar. Nëse këta njerëz duan të vazhdojnë akoma unë nuk mund t’ua mbyll gojën. Dorëheqjen që kërkojnë ata, unë kam dashur ta jap qysh në çastin e parë, por pjesa më e madhe e kolegëve nuk më kanë lejuar.
Intervistoi: V. Murati