Rezoluta për përmbytjet, Kuvendi, 5 kërkesa për qeverinë
Kuvendi miratoi dje në seancën e jashtëzakonshme një rezolutë për situatën e krijuar pas përmbytjeve në veri të vendit, ku në 5 pika të saj i kërkon qeverisë që t’i japë zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë zonës së përmbytur. Me 71 vota pro, deputetët i kërkuan në pikën e parë të rezolutës qeverisë që të angazhojë burimet e saj njerëzore për kapërcimin e pasojave. “Të ndërmarrë të gjitha masat për vlerësimin real dhe objektiv si dhe zhdëmtimin e plotë të të gjithë qytetarëve dhe familjeve të prekura dhe të dëmtuara nga përmbytja”, - thuhet në pikën 2 të rezolutës. Më tej, në pikën tre kërkohet që qeveria me strukturat e saj të normalizojë jetën e banorëve të zonës dhe në pikën e fundit kërkohet që të përmirësohen ligjet, në mënyrë që këto fatkeqësi të parandalohen në të ardhmen.
Pikat e rezolutës së miratuar në Kuvend
1. T’i kërkojë qeverisë që të angazhojë të gjitha burimet financiare dhe njerëzore të saj për kapërcimin sa më të shpejtë të të gjitha pasojave të kësaj fatkeqësie natyrore.
2. T’i kërkojë qeverisë të ndërmarrë të gjitha masat për vlerësimin real dhe objektiv si dhe zhdëmtimin e plotë të të gjithë qytetarëve dhe familjeve të prekura dhe të dëmtuara nga përmbytja.
3. Qeveria, ministritë dhe të gjitha agjencitë e vendit të nisin menjëherë punën për rehabilitimin e zonës së prekur, pastrimin mjedisor të saj, normalizimin sa më të shpejtë të jetës së njerëzve dhe veprimtarisë së tyre në këto zona.
4. Qeveria të përparësojë të gjitha projektet që i japin zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë parandalimit dhe përballimit të fatkeqësive të ngjashme natyrore.
5. Rishikimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor në përputhje me standardet evropiane në fushën e parandalimit dhe përballimit të fatkeqësive natyrore.
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit kushtuar përmbytjeve në veri të vendit u zhvilluar pa praninë e opozitës, ndërsa nga ana e saj, mazhoranca argumentoi provat e katastrofës natyrore. Duke nisur nga Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ministrat e kabinetit si dhe deputetët, u bë bilanci i përmbytjeve në Shkodër. Kryeministri Sali Berisha mori fjalën i pari në Kuvend, nga ku deklaroi se vendi u përball me një katastrofë natyrore, e cila ndodh vetëm një herë në shekull. “Ditët e fundit të dhjetorit dhe java e parë e janarit u karakterizuan nga fenomene natyrore të rralla, të rënda dhe të pazakonta, në njërën anë, reshjet e mëdha të cilat përfshinë të gjithë verilindjen e Shqipërisë, nga ana tjetër një rritje, një dalje e paparë e detit dhe vërshimi i tij në zonat bregdetare të Kurbinit dhe Shkodrës, shoqëruar këto të gjitha me një rrymë afrikane ajri që ngriti temperaturat në Shqipërinë e Mesme në 24 gradë bënë që lumenjtë të vërshonin me tërbim drejt liqenit, drejt Shkodrës dhe rrethinave të saj në një hark kohor të shkurtër”, - deklaroi Berisha. Kryeministri, duke u ndalur në akuzat e opozitës, i cilësoi spekulimet për fatkeqësinë si të ulëta dhe amorale. “Të gjitha spekulimet që bëhen për sa i përket menaxhimit, janë amorale dhe të ulëta. Është e turpshme. Nëse ishte puna për të shitur energji, qeveria ime dhe KESH-i e shiste atë në tetor, në nëntor. E vërteta është që kaskada ka një rregullore, e cila harmonizon prodhimin e energjisë elektrike, mbrojtjen e digave, shmangien sa me të mundshme të përmbytjeve”, - theksoi Kryeministri.
Në lidhje me menaxhimin e situatës, Berisha vlerësoi strukturat e shtetit. “Objektivi i parë madhor u përcaktua shpëtimi i jetëve njerëzore”, - tha ai duke garantuar qytetarët se “për asnjë moment apo sekondë nuk ka pasur asnjë rrezik absolut për digat, portat apo tunelet e tyre”. Berisha shtoi se sipërmarrja energjitike e vendit ka zbatuar pikë për pikë rregulloren, ndërsa nënvizoi se në asnjë moment nuk ka ekzistuar rreziku për çarjen e digave në hidrocentrale. “Qyteti kurrë nuk kishte asnjë kërcënim nga digat. Digat janë një mbrojtje ndaj vërshimeve të Drinit”, - tha Kryeministri. Ai premtoi një kompensim real dhe të shpejtë për banorët e prekur nga tragjedia. "Qeveria i ka të gjitha mundësitë që të përgjigjet deri në fund për dëmet e shkaktuara. Çdo veprim do të kryhet me transparencë të plotë", - u shpreh Berisha. Kryeministri tha se pas kësaj tragjedie, do të nisë një kapitull i ri zhvillimi për Shkodrën dhe rrethinat e saj. “Dua t’i garantoj qytetarët e Shkodrës dhe Nën-Shkodrës se kjo përmbytje do të shndërrohet në një kapitull te ri mundësish dhe projektesh në të cilat kjo qeveri do të bëjë që të përballohet çdo lloj përmbytjeje me kostot më minimale”, - premtoi Berisha.
Deputetët
Në seancën e djeshme raportuan me radhë ministrat e Shtabit të Emergjencës. Ministrat Basha, Ruli, Prifti, Olldashi si dhe shumë deputetë veçanërisht të Shkodrës bënë një bilanc të gjithë situatës së ndodhur në Shkodër. Ata paraqitën edhe masat që do të ndërmerren në të ardhmen, si në investimet e zonës dhe në rritjen e sigurisë. “Do kryhen investime afatgjatë në mënyrë që të rritet probaliteti që ngjarje të tilla të mos ndodhin”, - tha deputeti Edmond Spaho. Ndërkaq, në fjalën e saj deputetja e PD-së, Mesila Doda, kërkoi një paketë masash për respektimin e mjedisit. “Duhen masa për pyllëzimin e bjeshkëve si masa të tjera”, - tha Doda. Deputetja e PD-së u shpreh se veprimet e opozitës kanë qenë një turp. “Kurrë nuk ka pasur deputetë që ndajnë sanduiç për llogari të Edi Ramës”, - tha më tej deputetja e PD-së, Doda, duke shtuar se këto janë standarde të Haxhi Qamilit.