“Mbyllim negociatat në 2 vjet”, Rama: Pastruam drejtësinë dhe i dhamë shpatën e ndëshkimit

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shfrytëzoi mbledhjen e Komitetit të Politikës së Jashtme të Internacionales Socialiste në Tiranë për të shpjeguar ambicjen e Shqipërisë për të mbyllur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian brenda 2 viteve.
Sipas kryesocialistit Rama, situata gjeopolitike është në favor të vendit tonë, ndaj qeveria shqiptare është e vendosur të bëjë gjithçka për anëtarësimin në BE.
“Jemi bekuar që kemi lindur në zemër të Evropës, por në të njëjtën kohë kemi qenë të izoluar dhe shkëputur për një kohë të gjatë. Është koha jonë, shansi dhe momenti ynë. Mundësia e madhe për të përfunduar këtë punë dhe nxjerrë maksimumin e këtij shansi të jashtëzakonshëm që na paraqitet si mundësi mjaft faktike për të qenë pjesë e BE”, tha Rama.
Kryesocialisti shpjegoi para përfaqësuesve të Internacionales Socialiste se, për hir të integrimit në BE, Shqipëria ka realizuar reformën në drejtësi, duke garantuar për qytetarët një sistem që nuk kontrollohet nga politika.
“Shohim njerëz të fuqishëm të lidhur me shtetin politik, qeveri a në opozitë, që japin llogari para prokurorëve të pavarur. Nuk mund t’jua fsheh që në pikëpamjen njerëzore nuk është gjëja më e mirë të shohësh njerëz që i njeh për një kohë të gjatë që çohen përpara drejtësisë për t’u përgjigjur për gjëra të ndryshme. Dhe, duke qenë se janë të pafajshëm derisa të provohen fajtorë, këto janë procese që kërkojnë kohën e tyre. Ajo që është e re në Shqipëri, dhe mjaft revolucionare, është që kemi pastruar procesin e drejtësisë përmes një procesi verifikimi dhe kemi dorëzuar shpatën e ndëshkimit nga pushteti ekzekutiv te pushteti gjyqësor”, shtoi ai.
Kryeministri Edi Rama shpjegoi se qeveria do të përdorë inteligjencën artificiale për procesin e ligjvënies dhe për integrimin e ligjeve të BE-së në kuadrin ligjor shqiptar.
/vizionplus.tv