E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllin shkollën për shkak të 100 vjetorit

Prej të mërkurës e deri të hënën, shkolla fillore “Hasan Prishtina” i ka të mbyllura dyert për nxënësit e saj. Drejtori Milaim Berisha e ka shfrytëzuar ftesën nga një shkollë e Tiranës, që nga aty, bashkë edhe me 50 arsimtarë, t’ia mësyjë Vlorës. Ministria e Arsimit thotë se kjo është shkelje e vendimit të Qeverisë.

Nuk janë vetëm zyrtarët komunalë e më të mëdhenjtë e shtetit të Kosovës, ata që kanë nderin ta ndjekin për së afërmi festën e 28 Nëntorin në Shqipëri. Pos tyre, këtë kënaqësi do ta kenë edhe disa arsimtarë të Prishtinës. Është personeli prej 50 vetash i shkollës fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë, që për tri ditë të tëra nuk do të jenë në Kosovë.

Për personelin e kësaj shkolle, nuk ka fort rëndësi vendimi i Qeverisë së Kosovës. Atyre nuk u bën fort përshtypje që zyrtarisht është vendosur që për nder të 28 Nëntorit, gjitha institucionet e Kosovës do të kenë pushim vetëm një ditë. Ditën e mërkurë.

Drejtori i shkollës fillore “Hasan Prishtina”, bashkë me 50 kolegët e tij, arsimtarët e shkollës, të mërkurën do t’ia mësyjnë qytetit të Vlorës. Udhëtimi i tyre do zgjasë plot tri ditë, prandaj për kaq ditë sa ata do rrinë në shtetin fqinj, shkollës do t’i vihet dryni. Stafi i shkollës ka lidhur ditët e pushimit prej të mërkurës deri të hënën, vetëm e vetëm për të qenë pjesëmarrës në aktivitetet e organizuar për nderin e 100-vjetorit të shtetit të Shqipërisë.

E drejtori i kësaj shkolle, Milaim Berisha thotë se një vendim i tillë është marrë veç për një qëllim. Mbyllja e shkollës për tri ditë të tëra, sipas tij, është bërë pasi ai ka marrë një ftesë zyrtare nga një shkollë tjetër në Tiranë që mban emrin e njëjtë me të kësaj që ai udhëheq.

“Jemi ftuar që më 27 nëntor të marrim pjesë në zbulimin e bustit të Hasan Prishtinës, që do të bëhet në shkollën që mban këtë emër në Tiranë”, i ka thënë të dielën gazetës, Milaim Berisha, drejtoi i shkollës fillore “Hasan Prishtina”, shkruan “Express”.

“Kemi marrë edhe leje nga Drejtoria e Arsimit”.

Një rrugë e dy punë. Për të mos i dalë huq udha deri në Tiranë, Berisha thotë se 50 arsimtarët që do të shkojnë në Shqipëri, do ta vizitojnë edhe qytetin e Vlorës.

“Pasi do të shkojmë, kemi vendosur që të jemi edhe në Vlorë për 28 Nëntor”, sqaron ai.

“Jemi një staf prej 50 vetash, udhëheqës të shkollës e arsimtarë. Secili do të paguajë për vete”.

Është kjo vizitë zyrtare, e cila sipas drejtorit Berisha, ka bërë që shkolla të mbyllet edhe ditët kur nxënësit e shkollave të tjera do të punojnë si zakonisht.

“E mërkura është pushim për të gjitha shkollat, derisa të enjten dhe të premten ne nuk do të punojmë pasi jemi në Shqipëri”, tregon Berisha.

Megjithatë, nxënësit e shkollës “Hasan Prishtina” nuk është se këto ditë do t’i kenë të falura. Drejtori i shkollës thotë se dy ditët e pushimit do të zëvendësohen.

“Njëra është zëvendësuar këtë të shtunë, e dita tjetër do të zëvendësohet pasi të përfundojë gjysmëvjetori”.

E shkollat e tjera të Prishtinës, veç mund t’u lakmojnë arsimtarëve dhe nxënësve të “Hasan Prishtinës”. Halim Halimi, drejtor i Arsimit në Komunën e Prishtinës, thotë se pos kësaj të fundit, të gjitha shkollat e tjera të enjten dhe të premten do t’i kenë ditë punë.

“Kanë kërkuar leje pasi kanë ftesë zyrtare. Në Shqipëri do të shkojë edhe shkolla “Xhavit Ahmeti”, por mësimi aty do të vazhdojë, pasi janë vetëm 4 arsimtarë e 10 nxënës që shkojnë në Shqipëri”, ka thënë Halimi .

Sipas tij, për shkollat e tjera fillore të Prishtinës, vlen vendimi i Drejtorisë së Arsimit dhe ai i Ministrisë së Arsimit, të Shkencës e të Teknologjisë.

Ndonëse nxënësit kishin pritur që pushimi t'u lidhet më 29 dhe 30 nëntor, vendimi i Qeverisë së Kosovës është që vetëm për 28 nëntor të mos zhvillohet mësimi, ndërsa më 29 e 30 mësimi do të zhvillohet si gjithmonë. Me këtë veprim sipas MASHT, shkolla “Hasan Prishtina ka shkelur vendimin.

Arbër Morina, zëdhënës i kësaj ministrie thotë se mund të ndodh që rasti i shkollës “Hasan Prishtinë” është më specifik, prandaj ndoshta sipas tij Drejtoria e Arsimit e ka toleruar zgjatjen e pushimit.

Megjithatë Morina thotë se vazhdimi i pushimit nuk është në rregull, pasi sipas tij ky veprim i drejtorisë së Arsimit dhe shkollës në fjalë, shkel automatikisht vendimin e prerë të Qeverisë së Kosovës, dhe Minisitrisë së Arsimit.

“Vendimi vlen për të gjithë”, ka thënë zëdhënësi i MASHT, Arbër Morina./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›