E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis fiskalizimi i naftëtarëve

Fiskalizimi i të mëdhenjve ka nisur. Naftëtarët më në fund pritet të fiskalizohen pas më shumë se një vit vonesë. Që nga muaji nëntor i vitit 2012, deri në fund të muajit prill të vitit të ardhshëm, pritet që të gjitha pikat e shitjes së karburanteve të kenë të instaluara pajisje elektronike fiskale, të veçanta për pikat e shitjes së derivateve të naftës. Të paktën kjo është agjenda e publikuar nga Administrata Tatimore e Kosovës. Duhet të cekim se agjendat e publikuara më parë nga ky institucion nuk janë respektuar, madje ka pasur vonesa tashmë me vite sa i përket dinamikës së montimit të arkave fiskale.

Por, ky proces i ri që ka nisur vetëm për naftëtarët pritet të jetë i veçantë, ndërsa do të fusë nën kontroll bizneset që së bashku kanë qarkullim - me letra - mbi 500 milionë euro brenda vitit.

Nazmi Bytyçi, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve, ka thënë të jenë në dijeni se ka nisur procesi i fiskalizimit të pikave të shitjes së karburantit.

Ai ka thënë se kanë pasur takime me ATK dhe kompanitë e licencuara për fiskalizim prej të cilëve ka kërkuar që pajisjet të cilat do të duhet të montohen nëpër pikat e shitjes duhet të jenë të përshtatshme me aparatet që i kanë të montuara pikat e shitjes.

ATK-ja ka njoftuar se me fillim nga muaji nëntor i këtij viti, do të fillojë instalimi i pajisjeve elektronike fiskale, të veçanta për pikat e shitjes së derivateve të naftës, shkruan “Koha Ditore”.

“Instalimi i pajisjeve elektronike fiskale për pikat e shitjes së derivateve të naftës, në fazën e parë, përfshinë bizneset e NJTM-së, të cilat janë të obliguara të zbatojnë të gjitha kërkesat teknike për instalimin e këtyre pajisjeve fiskale”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Në grupin e parë parashihet të fiskalizohen bizneset që janë në kuadër të Njësisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj, e të cilët duhet të fikalizohen deri me 28 shkurt të vitit 2013. në grupin e dytë bëjnë pjesë naftëtarët që veprojnë në nivel regjional dhe që janë deklarues të TVSh-së, të cilët ditë të fundit për t’u fiskalizuar e kanë 31 marsin e vitit të ardhshëm.

Kurse, me 30 prill pritet të finalizohet instalimi i pajisjeve elektronike fiskale për pikat e shitjes së derivateve të naftës./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›