Qysh i harxhaun paratë Ministritë dhe Komunat?

E shterën buxhetin. I lanë punëtorët pa rroga e shumë projekte pa i realizuar. Dy muaj pa përfunduar viti, pothuajse të gjitha komunat e Kosovës dhe disa ministri mbetën gati pa asnjë cent në arkë.
Për t’i nxjerrë faqebardhë Qeveria e Kosovë ua ndau javën e kaluar edhe 10.4 milionë euro buxhet shtesë.
Me këto para, do të mbulohen edhe shumë kërkesa të tjera nga agjencitë buxhetore, të cilat nuk i kanë bërë llogaritë si duhet në fillim të vitit. Aq shumë bartje nga një dikaster në tjetrin janë bërë në këto dy muajt e fundit sa që tabelat buxhetore ngjajnë sikur të ishte rishikuar komplet buxheti i shtetit.
Zyrtarë të Ministrisë së Financave thonë për Express se sivjet kanë vërshuar kërkesat për rialokim të mjeteve nga një kategori në një tjetër, sidomos nga mallrat dhe shërbimet e investimet kapitale, në kategorinë e pagave dhe mëditjeve.
Edhe vetë kjo ministri është gjetur ngushtë me këtë kategori, sa po të mos i rialokonte 1.3 milion euro, do të mbeteshin pa rroga doganierët, punëtorët e Administratës Tatimore dhe ata të Qendrës Informative Financiare.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka aprovuar ndarjen e parave shtesë për 20 komuna të Kosovës në vlerë prej 5.6 milionë euro.
Në vendim nuk tregohet se ku saktësisht janë destinuar paratë, por obligohen kuvendet komunale që pas nxjerrjes së këtij vendimi brenda pesë ditësh të njoftojnë Ministrinë e Financave për nënprogramet dhe kategoritë se ku do të ndahen mjetet.
Megjithatë, gazeta Express mëson se pjesa më e madhe e mjeteve janë destinuar për paga dhe mëditje, pasi komunat ka kohë që i kanë shpenzuar paratë.
“Kërkesat më të mëdha kanë ardhur për t’ua lejuar paratë shtesë për rroga. Qe dy muaj gati kanë mbetur pa pare dhe në disa raste nuk i kanë paguar as punëtorët”, tregon një zyrtar i lartë në MF.
Kështu, për t’i mbuluar shpenzimet, Komunës së Gjakovës i janë ndarë 500 mijë euro, Podujevës, Istogut e Graçanicës nga 400 mijë euro, derisa Gjilanit, Skenderajt dhe Mitrovicës nga 450 mijë euro, Ferizajt 350, ndërsa nga rreth 200 mijë euro komunave të tjera.
Për t’i paguar punëtorët i janë ndarë para shtesë edhe Ministrisë së Administratës Publike, në vlerë prej 90 mijë eurosh.
Me kërkesë të Ministrisë së Financave, Qeveria e Kosovës ka aprovuar që t’i ndahen 500 mijë euro Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në nënprogramin ngrohja qendrore, si subvencione dhe transfere.
Ndërkaq, Ministrisë së Arsimit i janë ndarë 3 milionë euro për blerjen e librave.
Për t’ua siguruar mjetet e nevojshme sa kanë kërkuar agjencitë buxhetore, Qeverisë iu desh të hulumtonte gjatë nëse ndonjë agjencie buxhetore i kanë mbetur para të pashpenzuara. E këso me gjasë pati pak pasi u detyruan t’i shkurtojnë shumë projekte që kanë qenë të parapara t’i përfundojnë sivjet.
Më së shumti i kanë marrë Ministrisë së Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor, gjithsej 5 milionë euro, të cilat ishin dedikuar fillimisht për shpronësime.
Në kuadër të këtyre ndryshimeve buxhetore, Ministrisë së Punëve të Brendshme, në emër të kursimeve i janë tërhequr 1.1 milion euro. Kështu projekti për furnizimin me pajisje të tjera shërbimet e zjarrfikësve që ishte paraparë të kushtonte 595 mijë euro dhe sistemi i letërnjoftimeve biometrike në vlerë prej 429 mijë eurosh, nuk do të realizohen sivjet.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme do të mbetet pa i blerë objektet për ambasada dhe pa i mobiluar ato pasi paratë e këtyre projekteve në vlerë prej 703 mijë eurosh i janë marrë nga llogaria.
Ministrisë së Forcës së Sigurisë i është shkurtuar buxheti për 612 mijë eurosh kryesisht në projektet kapitale dhe kjo ministri nuk do të mund t’ua blejë sivjet pjesëtarëve të FSK-së, cisternat e automjetet e kërkuara. Gjithashtu edhe shumë mjete për çminim dhe pajisje të tjera fushore.
Gati njëjtë ia kanë shkurtuar buxhetin edhe Ministrisë së Tregtisë, në kategorinë e shpenzimeve kapitale. Pra, sivjet nuk do t’i ketë më në dispozicion 594 mijë euro, për t’i ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, e as për të mbështetur kapacitetet turistike në vend.
Nuk kanë mbetur pa u prekur as Ministria e Drejtësisë, Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit e shumë institucione të tjera./Indeksobline/
Ja sa para shtesë do të marrin komunat
Obiliqi - 200 mijë euro shtesë
Podujeva - 400 mijë euro
Malisheva- 85 mijë euro
Rahoveci - 200 mijë euro
Suhareka - 100 mijë euro
Peja - 300 mijë euro
Deçani - 260 mijë euro
Juniku - 143 mijë euro
Gjakova - 500 mijë euro
Fushë Kosova - 250 mijë euro
Skenderaj - 450 mijë euro
Mitrovica - 450 mijë euro
Ferizaj - 350 mijë euro
Kaçaniku - 200 mijë euro
Gjilani - 450 mijë euro
Shtërpca - 300 mijë euro
Istogu - 400 mijë euro
Graçanica - 400 mijë euro
Novobërda - 150 mijë euro
Hani i Elezit - 100 mijë euro