E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllja e ERT, Greqia në grevë e protesta: “Le të bëhet Taksim”

Deklaratat e djeshme të kryeministrit grek Antonis Samaras, kanë shkaktuar reagime të zemëruara. 

Gjatë orëve të mbrëmjes ai e karakterizoi TV shtetëror grek si "simbol të errësirës". Samaras akuzoi punonjësit se kishin privilegje dhe rroga te larta e megjithatë bënin greva për ngjarje të rëndësishme e optimiste në Greqi, duke mos i pasqyruar ato për publikun. "Ne nuk kemi asgjë me punonjësit, madje të gjithë do të kompensohen në mënyrën më bujare", siguroi ai. "Qeveria do t'i japë vendit një televizion të vërtetë publik, më të mirë dhe me më pak personel", deklaroi kryeministri.

Ndërkaq 2 aleatët e tij në qeveri Venizelos e Kuvelis, nuk janë dakort me vendimin, që duket të jetë fare personal i Samaras, dhe i bëjnë thirrje ta rishikojë atë. Edhe në këtë pikë Samaras ka deklaruar i vendosur se “nëse duan ta rrëzojnë qeverinë, le ta bëjnë”. 

Pas bisedave telefonike që patën sot kryeministri Samaras me dy aleatët e tij, u vendos që një takim tre palësh mbi këtë cështje, të zhvillohet të hënën. Takimi i liderëve politikë do të zhvillohet për të thyer bllokimin politik dhe për të mos cuar vendin në zgjedhje të parakohshme, që do të ishin shkatërruese për vendin. 

Duke folur për punonjësit ET3 në Selanik kreu i opozitës SYRIZA, Aleksis Tsipras siguroi se nuk do të ketë pushime nga puna në televizionin publik, duke shtuar se për të tjerët ky është "numërimi i orëve." “Unë shoh se zhvillimet politike të nisura tashmë, do të jenë të shpejta", tha Tsipras. "Angazhimi ynë është që ERT të bëhet simbol në luftën e popullit tonë për të rifituar dinjitetin dhe demokracinë", përfundoi kreu i SYRIZA.

Mbrëmë deri vonë dhe sot para ndertesave të ERT në Athinë dhe Selanik qëndrojnë punonjësit e Televizionit dhe shumë qytetarë që janë kundër vendimit për mbylljen. “Le të bëhet Greqia Taksim”, dëgjohet në bisedat mes tyre. Ndërkohë TV vazhdon të transmetojë online dhe iu bën thirrje qytetarëve për protesta të reja. 

Në shenje solidariteti, të gjitha mediat greke kanë shpallur grevë. Në grevë janë gjithashtu edhe sektorë të tjerë, si transporti publik, linjat e fluturimit për 2 orë, bankat, mjekët, sektorët financiarë publikë, etj. Greva është organizuar nga sindikatat e sektorit publik dhe privat. Lidhje te tjera FOTO - Reuters: ERT, pak minuta para se të mbyllej

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›