E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria turke: Referendum për projektin e parkut

TURQI - Qeveria turke thotë se mund të shqyrtojë idenë e organizimit të një referendumi lidhur me të ardhmen e parkut publik. Planet për ngritjen e një kompleksi komercial në këtë park u bënë shkak për protestat masive që kanë mbërthyer vendin. Por zëdhënësi qeveritar u shpreh se për të shqyrtuar këtë alternativë, duhet të ndalen së pari protestat. Komentet u bënë ndërkohë që kryeministri Erdogan po zhvillonte bisedime me përfaqësues të protestuesve. Por shumë protestues të tjerë kanë thënë se nuk do të përfillin rezultatet e bisedimeve, pasi grupi i protestuesve u zgjodh nga vetë qeveria.

Mijëra juristë turq u larguan dje nga gjykatat në shenjë proteste ndaj ndalimit të kolegëve të tyre nga policia, në vazhdën e trazirave më të gjera anti-qeveritare në disa vjet.

Mbi 2000 juristë të mbledhur para gjykatës kryesore të Stambollit hidhnin parulla “kudo Taksim, kudo qëndresë”. Protesta e juristëve u ndërmor në përgjigje të fushatës policore ndaj demonstruesve anti-qeveritarë në Sheshin Taksim të qytetit. Një nga juristët shpjegon se ata po protestojnë ndaj atyre që ajo i cilëson si zhvillime shumë negative në Sheshin Taksim.

Në përgjigje të protestës së juristëve, kreu i Shoqatës së Avokatëve në Stamboll, Kocasakal, kritikoi përgjigjen e policisë. Ai thotë se përdorimi i gazit lotsjellës dhe plumbave plastikë është i paligjshëm dhe vënia në shënjestër e të gjithëve pa dallim nga aktet, është e pajustifikueshme. Ai thotë se protestuesit turq nuk janë buburreca që mund të vriten me përdorimin e gazit.

Deri në orët e para të ditës së djeshme, forcat e sigurisë u përleshën me protestuesit. Afro 100 juristë u ndaluan nga policia të martën, ndërkohë që protestonin në gjykatat e Stambollit kundër fushatës qeveritare. Sipas njoftimeve, të gjithë janë liruar.

Sheshi Taksim është nën kontrollin policor dhe Parku Gezi, ende i zaptuar nga protestuesit, është rrethuar nga policia.

Planet e qeverisë për një kompleks komercial në parkun Gezi ishin shkaku i shpëtimit të protestave që gradualisht u shndërruan në qëndresën më të madhe anti-qeveritare në disa dekada me thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Recep Taip Erdogan.

Erdogan u takua me një delegacion me 11 studentë, akademikë dhe artistë. Disa protestues në parkun Gezi ishin kundër takimit me kryeministrin, duke akuzuar se grupi i protestuesve në takim ishte zgjedhur nga qeveria.

Kryeministri do të takohet edhe me një artist të njohur që mendohet se do të marrë rolin e ndërmjetësit. Shumë protestues e kanë kundërshtuar këtë ide.

(er.nu/voa/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›