Mbyllja e Guantanamos, Obama pritet të emërojë një zyrtar të lartë
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se presidenti Barack Obama do të emërojë një diplomat të lartë për të bërë të mundur mbylljen e burgut të Guantanamos, në një bazë detare të Shteteve të Bashkuara në Kubë.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, tha se i dërguari i ardhshëm do të punoj për të përcaktuar se cilët të burgosur në Guantanamo mund të dërgohen në vendet e tyre ose në shtetet e treta.
Të martën, presidenti Obama ka shprehur përkushtimin e tij për mbylljen e këtij burgu, në të cilin gjenden 166 të burgosur.
Shumica e të burgosurve mbahen në burg pa proces gjyqësor ose akuzë, prej vitit 2002, kur u themelua ky burg.
Afro 100 të burgosur aktualisht po bëjnë grevë urie.