E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbyllja e TikTok, ish-kreu i KQZ: Ja si do të ndikojë vendimi i Edi Ramës te votuesit në Shqipëri dhe jashtë

Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ, tha se Partia Demokratike po e përdor protestën për mbylljen e TikTok-ut, duke qenë se jemi në kohë fushate.

Në studion e “Quo Vadis” në Vizion Plus, nën moderimin e Pranvera Borakajt, Kume tha se opozita duhej ta kishte bërë protestën që kur Rama e deklaroi se do ta mbyllte rrjetin social TikTok.

Ai nënvizoi se kjo është e mirëkuptueshme, duke qenë se jemi në fushatë zgjedhore.

“Që të bësh këtë protestë, sot mund ta justifikosh me faktin që jemi në prag të zgjedhjeve. Nëse do kishte ndodhur 1 vit më parë, nuk do bënin protestë. Le ta kishin bërë protestën që kur e tha Rama që do ta mbyllim. Se e përdor, mirë bën. Në fushatë, çdo veprim që bëhet dhe mund të sjellë rezultat në zgjedhje është i justifikueshëm. Berisha e quajti censurë të fortë. Nuk është puna se e mbylle dhe i prishe qejfin disa të rinjve, dhe ai tjetri thotë pse unë mos  ta përdor. Rama do ta mbyllë me vendim. E gjitha për mua është e mirëkuptueshme duke qenë se jemi në fushatë”, tha Kume.

Sa i përket votës së diasporës, Kume tha se mbyllja e TikTok-ut nuk ka asnjë ndikim tek emigrantët.

“Nëse emigranti do të vendos sot se për kë të votojë, më duket si një votim jo i mençur. Vota e tyre është më inteligjente, sepse kanë pasur shansin për të jetuar në vende më demokratike. Tek ne këtu në Shqipëri mund të ketë efekt. Unë nuk kam TikTok, nuk kam, s’e ndjek fare”, shtoi ish kryetari i KQZ.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›