E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbytet varka me 24 persona, dy të vdekur dhenjë i humbur

Tentativat e shqiptarëve të
dëshpëruar për të emigruar
ilegalisht kanë shkaktuar
një tjetër tragjedi dje në mbrëmje.
Një varkë me 24 persona është
përmbysur në kanalin e Vivarit në
Butrit dhe të paktën dy nga
pasagjerët kanë gjetur vdekjen.
Bëhet fjalë për një grup personash
nga rrethe të ndryshme të vendit,
të cilët kishin për qëllim të arrinin
në fshatrat kufitarë me Greqinë,
për t‘u nisur prej aty në rrugë tokësore
për në thellësi të territorit
grek. Informacionet kanë qenë
kontradiktore dje në mbrëmje në
lidhje me numrin e viktimave.
Policia konfirmoi vdekjen e një
gruaje 22 vjeçe nga Lapardhaja e
Beratit dhe foshnjës së saj 3 muajshe.
Burime të tjera informacioni
flisnin për një të zhdukur, i cili
mendohet të jetë një djalë 17 vjeç
nga fshatrat e Vlorës, por deri në
mbrëmje vonë, nuk pati konfirmim
për këtë.
Përmbysja
Nga banorë të zonës, të cilët ishin
të parët që mbërritën në vendin
e ngjarjes, mësohet se rreth 20 persona
kishin hipur në një varkë
peshkimi me rrema, për të shmangur
kontrollet e policisë. Ka qenë
një grup klandestinësh, të cilët ishin
nisur në mënyrë të organizuar,
me udhërrëfyes, për të kaluar ilegalisht
kufirin shtetëror. Ata kanë
tentuar fillimisht të kalojnë kanalin
e Vivarit nëpërmjet rrugës normale,
ku funksionon një trap, për
t‘u hedhur në fshatin Xarrë, pastaj
në Konispol e më pas në Greqi. Por
në afërsi të kanalit, në rrugë, policia
kishte ngritur një postbllok, të
cilin organizatorët kanë dashur ta
shmangin. Për këtë arsye, ata kanë
shkuar në liqenin e Butrintit, në
krahun e Portës së Luanit të qytetit
antik dhe kanë marrë atje një varkë
peshkimi me rrema, që të kalonin
nëpër kanal, pa rënë në sy të policisë.
Por, në varkën që mban maksimalisht
8 persona, kanë hipur 24
veta, ndërsa rolin e rremtarit e ka
bërë një jo profesionist, i cili mendohet
se ishte udhërrëfyesi. Për
shkak të mbingarkesës dhe mungesës
së përvojës së rremtarit, varka
është përmbysur në Kanalin e Vivarit,
disa metra larg destinacionit.
Kanali nuk ka thellësi të madhe dhe
është i ngushtë, por 22-vjeçarja Edlir
Jaho nuk dinte not dhe, për më
tepër, duhet të mbante mbi ujë
edhe foshnjën e saj 3 muajshe,
Klara Jaho. Në varkë ndodhej edhe
Dritan Jaho, burri i 22-vjeçares dhe
babai i vajzës, por as ai nuk ka mundur
t‘i shpëtojë dy anëtarët e familjes.
Ai ishte personi i parë që ka
mbërritur në spitalin e Sarandës,
pasi është nxjerrë nga uji me ndihmën
e policisë dhe banorëve të
zonës.
Hetimet
Të gjithë personat që ndodheshin
në varkën që u përmbys u
transportuan fillimisht në spital,
për shkak të gjendjes së shokut dhe
më pas u shoqëruan në ambientet
e Komisariatit të Sarandës, për t‘u
marrë në pyetje. Policia konfirmoi
se kishte mundur të identifikonte
mes të mbijetuarve, personin që
bënte rolin e udhërrëfyesit, i cili
mësohet se është nga Rrethi i Lushnjës.
Ndërkohë, policia ka identifikuar
edhe pronarin e varkës, i cili
mund të akuzohet gjithashtu për
dhënie ndihme për kalimin e
paligjshëm të kufirit. Sipas burimeve
policore, kjo nuk është hera
e parë kur grupe klandestinësh
kalojnë me varka nëpër kanalin e
Vivarit, për të shmangur postblloqet
e policisë në rrugën për në fshatrat
e kufirit. Ky është rasti i dytë
brenda këtij viti, kur mosrespektimi
i rregullave të lundrimit shndërrohet
në tragjedi. Më 6 mars, 16
persona gjetën vdekjen në liqenin
e Farkës, pranë Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›