E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athinë, vritet shqiptari i dënuar për krijim bandash

Një 32-vjeçar shqiptar nga Ksamili i Sarandës është vrarë
mbrëmjen e së shtunës në Athinë, pasi është qëlluar dy herë
në kokë nga një person i panjohur. Ngjarja ka ndodhur në lagjen
Patisia të Athinës, në kryqëzimin e rrugëve Pindu dhe Ipolitu shumë
afër sheshit "Omonia". Viktima është Çajup Qijvani nga Ksamili i
Sarandës. Sipas raportit të mjekut ligjor, që ka mbërritur në vendngjarje,
ai është qëlluar dy herë në kokë me armë zjarri dhe ka dhënë
shpirt pa mundur të mbërrijë në spital. Sipas dëshmitarëve, viktima
ka pasur një konfrontim me një person të panjohur, në një
internet-kafe aty pranë dhe disa minuta më pas, kur ka dalë është
qëlluar. Policia greke thotë se arrestimi i vrasësit është çështje
kohe, pasi ka shumë të dhëna për identitetin e tij. Për sa i përket
viktimës, ai është liruar pak kohë më parë në Shqipëri nga dënimi
nën akuzën e krijimit dhe pjesëmarrjes së bandave të armatosura,
si dhe për grabitje me armë. Një vit pas lirimit, ai ka emigruar
në Greqi. Por edhe atje, 32-vjeçari ka pasur një dosje të
mbushur me vepra penale, midis të cilave vjedhje dhe trafikim
lëndësh narkotike. Sipas burimeve nga polica greke, pjesëmarrja
e tij në bandat e armatosura të vitit ‘97 duket se ka qenë një prej
shkaqeve të vrasjes së tij. Siç dihet, ai ka qenë një prej elementëve
kryesorë të personave me maska që grabisnin nën kërcënimin e
armëve në aksin rrugor që përshkon Muzinën, 11 vite më parë.
Për kotë akte, ai është dënuar nga drejtësia shqiptare. Prandaj edhe
policia greke duket se vendos si pistë të parë në vrasjen e tij, atë të
hakmarrjes. Megjithatë, raporti nga hetimi për vrasjen e ndodhur
do të bëhet i njohur vetëm pas përfundimit të të gjithë procesit
nga ana e organeve greke, të cilat shpresojnë të arrestojnë shumë
shpejt vrasësin. Për sa i përket trupit të viktimës, ai është tashmë
në morgun e Athinës dhe pas mbarimit të procedurave vlerësohet
se do të dërgohet në Shqipëri së shpejti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›