McIlwham: Britania, përparësi të drejtat e njeriut
Raporti i Ministrisë së Jashtme Britanike u publikua në 17 mars 2010
Ambasadorja britanike, Fiona McIlwham, do të marrë pjesë sot me diplomatët e tjerë evropianë në takimin e parë vjetor midis përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut në Shqipëri. Ambasadorët dhe përfaqësues të grupeve kryesore të të drejtave të njeriut do të diskutojnë shqetësimet, prioritetet dhe veprime të përbashkëta për të mbështetur punën për të drejtat e njeriut në Shqipëri. Ambasada britanike në Tiranë mbështet një numër nismash lokale për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut. Raporti vjetor për të Drejtat e Njeriut 2009 i Ministrisë së Jashtme Britanike publikuar në 17 mars 2010, identifikon përparësitë britanike për Shqipërinë. Ato përfshijnë nevojën për përmirësime në sistemin elektoral; një vazhdimësi të provuar të hetimit të rasteve të korrupsionit; mbrojtjen e të drejtave individuale dhe mbrojtjen e lirisë së medias.