Rama: Barra e faturës së energjisë për familjet është rritur me 300%

Edi Rama
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama e cilëson si shumë të rënduar për familjet çmimin e energjisë elektrike. Reagimi ka ardhur pak orë pasi tre kompanitë KESH, OST dhe CEZ i kërkuan Entit Rregullator rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
300% është rritur barra e familjeve në faturën e energjisë gjatë pushtetit të Saliut. Është koha që kush fiton më pak të paguajë më pak, shkruan Rama në Twitter.
Gjithashtu kreu i opozitës nënvizon se gjithashtu zgjidhje për këtë problem do të ishte liberalizim të plotë të tregut të energjisë dhe e shembjes së mureve të klientelave familjare të pushtetit në këtë sektor.
KESH kërkon rritjen e çmimit nga 1.48 lekë në 5.05 lekë, OST nga ana e saj kërkon rritje nga 0.6 lekë në 0.73 lek për kË, kurse CEZ propozon dy alternativa për rritjen e çmimit të energjisë: Rritjen e çmimit mesatarisht me 4.6%, ose mos rritje të çmimit por likuidimin përfundimtar të borxhit mes CEZ-it, KESH-it dhe qeverisë.
Të dhënat e fundit tregojnë se vendi ka nevojë për importimin e energjisë elektrike pasi KESH ka njoftuar se ka energji të siguruar vetëm për muajin dhjetor. Niveli i ujit në Fierzë qëndron në 259.5 metër, shumë më e ulët se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Për këtë Rama shprehet se qeveria ka keq menaxhuar burimet e energjisë. Treguesit janë më të këqijtë e të gjitha kohërave pas 97-ës në menaxhimin e energjisë, vjedhjet janë më të mëdha se asnjëherë po ashtu, shkruan Rama në rrjetin social.
Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë është propozuar dhe rritja e çmimit të ujit, në masën 2/3 të çmimit aktual.