E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mcllwham:Presidenti, të ketë miratimin e politikës e popullit

Në kohën kur është hapur tashmë debati për zgjedhjen e presidentit të ri në korrik të këtij viti, ambasadorja e Britanisë së Madhe në Tiranë Fiona Mcllwham thotë se kreu i ri i shtetit shqiptar duhet të zgjidhet sipas Kushtetutës së Shqipërisë.
 

Nga qyteti i Berati ku është takuar edhe me kreun e Bashkisë, ambasadorja Mcllwham ka theksuar se dokumenti themeltar e përcakton qartë zgjedhjen e presidentit të ri ndërsa ka shtuar se Presidenti duhet të pranohet nga spektri politik.
 

Diplomatja britanike insistoi se zgjedhja gjithësesi i përket politikës vendase dhe kreu i shtetit duhet të jetë një figurë e unitetit kombëtar. “Nuk na takon ne të shprehemi për zgjedhjen e presidentit të ri. Kjo është një çështje që i takon politikës shqiptare” ka theksuar Mcllëham.
 

Ajo gjithashtu i ka bërë thirrje klasës politike shqiptare të bashkëpunojë për reformat integruese të vendit ndërsa ka shtuar se Britania e Madhe do të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.

Ndërkohë edhe ambasadorët e BE-së dhe OSBE-së kanë kërkuar një president konsensual dhe sipas Kushtetutës së vendit. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth ka theksuar se për zgjedhjen e presidentit duhet të ndiqet shembulli i Avokatit të Popullit në mënyrë që të bashkohen votat dhe të zgjedhet një president konsensual.
 

Ndërsa ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë Ettore Sequi ka theksuar më herët se kreu i ri i shtetit shqiptar duhet të jetë bashkimi i të gjithë shqiptarëve. Por nga ana tjetër ambasadori Sequi ka theksuar se është klasa politike shqiptare ajo do të vendosë për mekanizmat e përzgjedhjes së tij.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›