E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDIU përshëndet përfaqësimin konsullor Shqipëri-Kosovë

PDIU ka përshëndetur përfaqësimin e përbashkët konsullor Shqipëri-Kosovë. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun, Ardit Bido ka theksuar në një konferencë për shtyp se marrëveshja ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës për përfaqësimin e përbashkët konsullor në ato vende ku Kosova nuk ka përfaqësi konsullore është një hap i rëndësishëm drejt bashkimit diplomatik të dy vendeve.
 

“Përfaqësimi i përbashkët konsullor është në drejtimin e duhur, edhe për faktin se diaspora shqiptare nuk mund të konceptohet si e ndarë për shkak të demarkacioneve shtetërore, por duhet të shihet si një tërësi. Tashmë shqiptarët, qofshin të Shqipërisë, qofshin të Kosovës, do të kenë një adresë për t`u mbështetur në vendet ku jetojnë dhe punojnë” ka theksuar PDIU.
 

Sipas PDIU-së bashkimi konsullor sot është realitet, prandaj ka ardhur koha edhe për bashkimin diplomatik. “Në historinë e shtetit shqiptar, përfaqësimi i përbashkët nuk është diçka e re. Për këtë arsye, është tërësisht normale por edhe e nevojshme që një marrëveshje e tillë të nënshkruhet edhe sot me Kosovën. Bashkimi diplomatik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës nuk pengohet nga askush. Ajo është në përputhje me Konventën e Vjenës për Misionet Diplomatike të vitit 1961. Në nenin 6 të kësaj marrëveshjeje përcaktohet se "dy ose më shumë shtete mund të akreditojnë të njëjtin person si drejtues të misionit në një shtet tjetër, nëse shteti pranues nuk shpreh kundërshtime" shton PDIU.

PDIU-ja ka theksuar më tej se përfaqësimi i përbashkët konsullor Shqipëri-Kosovë do të fuqizonte jo vetëm rolin diplomatik të dy shteteve, por do të shërbente edhe si një faktor i rëndësishëm i përvijimit të një politike të jashtme të qëndrueshme, të njësuar dhe të qartë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›