E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më 1 shtator nis shpërndarja e librave shkollorë në Kukës



Shpërndarja e librit shkollor për nxënësit e arsimit parauniversitar në rrethin e Kukësit do të nisë më 1 shtator. Drejtori rajonal i Arsimit, Ibsen Elezi, tha se “të gjitha tekstet e përzgjedhura nga mësuesit thuajse janë pranë pikave të shitjes, ende nuk kanë ardhur vetëm 2 - 3 tituj që pritet të dërgohen nga shtëpitë botuese në ditët e ardhshme”. Sipas tij është hartuar një plan i veçantë masash në bashkëpunim me drejtuesit e komunave për të mundësuar dërgimin e librit shkollor para 15 shtatorit në të gjitha zonat e rrethit. Në rrethin e Kukësit funksionojnë 57 shkolla të arsimit parauniversitar, prej të cilave 9 shkolla të mesme ku mësojnë rreth 82 mijë nxënës e japin mësim 663 mësues.

Anija patrulluese ushtarake “Iliria” mbërrin në Portin e Durrësit

Në Portin detar të Durrësit ka mbërritur ditët e fundit anija patrulluese ushtarake "Iliria", e prodhuar në Holandë pas një marrëveshjeje dypalëshe mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Mbretërisë së Holandës. Anija e prodhuar enkas për flotën tonë në një nga portet e Holandës ka një gjatësi prej 42 metrash dhe do të kryejë detyra të ndryshme në kuadër të forcimit të Rojës bregdetare dhe zbatimit të legjislacionit detar. Kjo është luftanija e parë, e cila do të vihet në dispozicion të Flotiljes detare të veriut me qendër në Durrës. Sipas marrëveshjes dypalëshe me qeverinë holandeze, së shpejti në kantierin detar të Bazës së Pasha Limanit do të nisë edhe ndërtimi i tre anijeve të tjera ushtarake me të njëjtat standarde si patrulluesja “Iliria”.

Gjykata lë në qeli tre të dyshuar për shitje të narkotikeve

TIRANË - Gjykata e Shkallës së Parë vendosi të shtunën të lërë në qeli deri në përfundim të hetimit tre personat e arrestuar pak ditë më parë në Tiranë me një sasi prej 1 kilogram drogë e llojit heroinë. Gjatë seancës së sotme, Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë, duke caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasit Mehmet Belba, 45 vjeç, Elvis Arifaj, 24 vjeç dhe Martin Bocaj, 22 vjeç, të cilët akuzohen për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Personat në fjalë u arrestuan në Tiranë, gjatë operacionit të koduar “Kolona”, gjatë shkëmbimit të sasisë prej 1 kg heroinë, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, atyre iu sekuestrua edhe një shumë prej 400.000 lekë, të cilat ishin përfituar nga tregtimi i lëndës narkotike, 1 thikë, që plotësonte kushtet e armës së ftohtë etj.

1 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›