Më 12 janar nis procesi i pajisjes me karta identiteti dhe pasaporta biometrike
Eljona Ballhysa
Më 12 janar do të nisë procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti dhe pasaporta biometrike. Këtë e bëri të ditur dje, gjatë mbledhjes së qeverisë, kryeministri Sali Berisha. Ai u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës të fillojnë të aplikojnë për pajisjen me karta identiteti dhe pasaporta biometrike. Çmimi i kartave të identitetit do të jetë 1200 lekë, ndërsa pasaporta do të kushtojë 5 mijë lekë. Berisha vuri theksin në rëndësinë që ka pajisja e qytetarëve me karta identiteti për zhvillimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.
Deklarata
“Kam një thirrje dhe apel ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë mbi moshën 18 vjeç, të shkojnë dhe të aplikojnë për marrjen e letërnjoftimeve. Më datën 12 janar fillon në Tiranë procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime. U bëj thirrje qytetarëve të Tiranës se marrja e kartave të identitetit është absolutisht një moment i veçantë për secilin prej nesh sepse ne marrim një dokument, një letërnjoftim të njëjtë dhe ndër më modernët në të gjithë Europën. Para kujtdo që e paraqesim letërnjoftimin, ne prezantohemi si qytetarë me një dokument identifikimi të denjë për ne”, - u shpreh kryeministri. Ai theksoi se marrja e kartave të identitetit është ndër të tjera edhe një kontribut që vetë qytetarët mund të japin për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Ky është një rast i artë që çdo qytetar të kontribuojë në zgjedhjet që vijnë për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Me marrjen e letërnjoftimit, secila familje dhe secili qytetar dëshmon se, përveç votës, është duke dhënë kontribut edhe për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm”, - u shpreh kryeministri.
Procedura
Për të pajisur qytetarët me karta identiteti, qeveria do të vërë në dispozicion 400 qendra aplikimi në të cilat qytetarët mund të paraqiten për të bërë kërkesën për t’u pajisur me karta identiteti. Të dhënat e qytetarëve shqiptarë do të merren direkt online nga regjistri i gjendjes civile nëpërmjet një ndër faqeve që është krijuar ndërmjet këtyre sistemeve. Do të printohet një modular, i cili, pasi të jetë lexuar dhe verifikuar nga qytetari për të parë nëse të dhënat e tij janë të sakta, do të firmoset nga qytetari. Ai do të lërë shenjat e gishtave, do t‘i bëhet një fotografi dixhitale dhe në këto kushte do të plotësohet i gjithë kuadri i të dhënave për të marrë kartën e identitetit. Më tej, ky aplikim do të depozitohet në Tiranë, në Qendrën e Personalizimit, për të pasur mundësinë e elementeve të sigurisë, pasi aty do të prodhohen kartat, nga një makinë e vetme. Qytetari do ta tërheqë kartën e identitetit në sportelin ku ka aplikuar. Ndërsa pasaportat do të tërheqin pranë komisariateve të policisë, për shkak të sigurisë që paraqet pasaporta. Gjithashtu, në momentin që do të tërheqin dokumentet do të bëhet një verifikim i shenjës së gishtit të personit që tërheq dokumentin në rast se korrespondon me atë që ka aplikuar në fillim.
8 Janar 2009