Obelisk në qendrën e Tiranës në nderim të viktimave të sistemit komunist
Qeveria miratoi, gjatë mbledhjes së djeshme, projektligjin për ngritjen e muzeut të krimeve të dhunës së komunizmit si dhe ngritjen e një obelisku në nderim të viktimave të këtij regjimi. Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij tha se ngritja e një muzeu të tillë do të ndihmojë shoqërinë shqiptare të memorizojë dramën e madhe që përjetoi. “Parlamenti do të vendosë me ligj ngritjen e muzeut të krimeve dhe dhunës komuniste. Ky muze është i domosdoshëm, për ata qindra e mijëra martirë të besimit te Zoti, të besimit te fjala e lirë, të lirive, të cilët janë pa varre e të shpërndarë nuk dihet se ku. Një muze ku të gdhenden emrat e tyre dhe të ndërtohet me mençuri për t’u bërë një element i rëndësishëm i historisë muzeale të vendit, për të ndihmuar shoqërinë shqiptare të memorizojë në interesin e saj më të mirë dramën e madhe që përjetoi”, - është shprehur Berisha. Gjithashtu, kryeministri Berisha i kërkoi ministrit të Kulturës organizimin më 20 shkurt, në Muzeun Kombëtar, të një ekspozite të dhunës komuniste në Shqipëri. “Muzeu Kombëtar duhet të organizojë më 20 shkurt të këtij viti ekspozitën më të madhe të organizuar ndonjëherë për dhunën komuniste në Shqipëri. Për këtë duhet të nisë menjëherë puna dhe të përqendrohet i tërë potenciali për organizimin e një ekspozite, e para e madhe e këtij lloji, në mjediset e gjera të Muzeut Kombëtar”, - është shprehur kreu i qeverisë. Më tej, Berisha udhëzoi ministrin e Kulturës të hapë konkursin ndërkombëtar për përzgjedhjen e arkitektëve më të njohur europianë e botërorë për ngritjen e obeliskut, që do të vendoset para piramidës së ish-diktatorit. “Ministria e Kulturës do të hapë një konkurs ndërkombëtar për ngritjen e një obelisku për mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë, burra, gra, fëmijë, intelektualë, punëtorë, fshatarë, të rinj, të moshuar, të cilët u martirizuan për këto liri që ne kemi e gëzojmë sot. Ata nuk qenë qytetarët që u konformuan, por që qëndruan dhe në mënyrën e tyre dëshmuan rezistencën ndaj regjimit. Ndaj një obelisk madhështor do të ngrihet për t’i nderuar ata dhe duhet të jetë vepër e arkitektëve më të njohur të Europës e botës”, - është shprehur Berisha.
8 Janar 2009