Më 6 janar, pretenca për Ilir Metën, gjykata nuk pranon provat e prokurorisë
(E PERDITESUAR)- Prokuroria do të paraqesë konkluzionet përfundimtare të hetimeve për Ilir Metën më 6 janar, kur pritet që të kërkohet dhe dënimi për të. Kjo është vendosur gjatë seancës së djeshme gjyqësore në Gjykatën e Lartë.
Gjykata e Lartë vendosi që në gjashtë janar 2012 të dëgjohen konkluzionet përfundimtare të prokurorisë ndaj të akuzuarit Meta, pavarësisht se prokurori Bujar Sheshi kërkoi 30 ditë kohë për tu përgatitur, kërkesë e cila si gjithmonë nuk u mor parasysh për shkak të gjykimit të pandërprerë që nuk lejon tejkalim të afateve proceduriale.
Kolegji penal i Gjykatës së Lartë pranoi të administrojë të gjitha provat shkresore të dy avokatëve Petrit Serjani dhe Gëzim Veleshnja, mes të cilave edhe kërkesa e Dritan Priftit bërë në vitin 2002, ku ai kërkonte të linte mandatin e deputetit për shkaqe shëndetësore.
U pranuan si prova shkresore edhe dokumentat e paraqitura nga avokatët për ankandin e naftës Albpetrol, si dhe një shkresë e ministrit të Brendshëm Bujar Nishani, për mungesën e ekspertizës.
Gjykata e Lartë nuk u tregua po kaq bujare edhe me kërkesat e prokurorit Bujar Sheshi për administrimin si prova shkresore të mjaft procesverbaleve.
Konkretisht, kolegji penal refuzoi të konsiderojë provë shkresore kërkesën për dëgjimin në sallën e gjykatës dhe transkriptimin e videos avi 008, në të cilën shfaqet biseda mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit.
Prokurori e kërkoi të argumentuar këtë vendim të ndërmjetëm të gjykatës se përse nuk pranohej dëgjimi i videos në gjykatë. Po kështu, gjykata nuk pranoi si prova të prokurorisë edhe procesverbalet ku flitet se si nisën hetimet duke marrë shkas nga shtypi i përditshëm, mes të cilave kërkoi të depozitoheshin faqe të internetit të disa mediave, si dhe intervista e dhënë nga deputeti Dritan Prifti në emisionin Top Story të Sokol Ballës.
Edhe këto prova shkresore nuk u pranuan. Por prokurorisë iu pranuan mes të tjerash procesverbali si marrje prove i laptopit, usb-orës dhe një flashi, si dhe raportet e tabulateve telefonikë, procesverbali nga sistemi TIMS që vërteton se Ilir Meta ka udhëtuar jashtë vendit menjëherë pas bisedës së regjistruar me Priftin, ashtu sikurse thotë dhe dëshmitari kyc i kësaj historie, si dhe procesverbalet për marrjen e dokumentave në QKR, që tregojnë situatën e subjekteve Vëllezërit Tola SHPK, Merkaj dhe Habilaj Holding SHPK.
Spartak Braho, përfaqësues i Ilir Metës, ka përsëritur sakaq akuzat ndaj prokurorisë, duke thënë se ajo dështoi në procesin e saj të montuar, ndërsa ka përshëndetur vendimin e gjykatës.
