Topi i përgjigjet Berishës: Po përmbush detyrimet e mia kushtetuese
-Topi: Ashtu si në futboll, edhe në politikë jam lojtar mesfushe
Presidenti Bamir Topi iu përgjigj nga Pogradeci deklaratave të kryeministrit Sali Berisha se po shkel ligjet kur bën deklarata se do formojë parti të re. Nuk e kam shkelur në asnjë rast Kushtetutën dhe do vazhdoj të përmbush detyrimet e mia, tha Topi, që përdori edhe një krahasim me futbollin për të ilustruar rolin e tij. Ashtu si në futboll, edhe në politikë jam lojtar mesfushe, tha presidenti.
Kryeministri Berisha tha dje se Topi i kishte bërë një nder me deklaratën e tij se do bëjë parti. Por cenoi dinjitetin e postit kryesor të shtetit. Ne nuk e kandidojmë më, kjo është e prerë. Do kishte qenë më e ndershme që të jepte dorëheqjen e të bënte partinë që ka deklaruar se do e bëjë. Kur thotë se do bëj parti politike se nuk më kandidojnë së dyti, kjo është në cenim të frymës së ligjeve, tha Berisha.
Presidenti ishte në Pogradec për festën e verërave që shënon hapjen e buteve në çdo familje pogradecare. Ai u mikprit nga kryebashkiaku Artan Shkëmbi dhe të tjerë drejtues vendorë. Topi uroi për verën e re, për mbarësi dhe ruajtjen e kësaj tradite të bukur që bashkon njerëzit.