E Diel, 1 Nëntor 2026

Me “Fijeshpresë” vjen kësaj here Alban Tartari

Erdhi jo për të thënë se është në majë, por për të treguar se po shkon drejt saj. Ky libër i përbërë kryesisht nga poezi të vetë autorit dhe shqipërime nga poetët më të njohur turq, vjen pranë lexuesve me një gjuhë origjinale dhe me një freski që rrjedh nga pena e gazetarit, tashmë edhe të poetit, Tartari.

Vetëm duke qenë larg mund t’i kuptosh largësitë, e atëherë duke i “derdhur” si petale trëndafilash në fletushka, kjo ndjesi bëhet më e prekshme, më e dukshme, më e njohshme. Kjo në fakt përbën hullinë e këtij libri, për të mos qenë vetëm i tillë. Në këtë udhë pa fund e pa krye të ikjes, të largimit, të ekzistencës rreket shpirtit i njeriut e bash aty gjen “penzat e thyera” për të lënë gjurmët e për të mbetur gjallë aty. Kjo, mund të arrihet me poezinë, atë “simfoni” shpirti që poeti duket se ka kapur nivelet më të larta të saj.

Udha gjer këtu....

Alban Tartari, në të vërtetë ka botuar librin e tij të parë, por poezitë e tij janë të njohura prej kohësh. Ato janë kompozuar në muzikë të këngëtarëve të njohur. Rrugëtimi i tij në këtë udhë të gjatë e të bukur të poezisë ka nisur 10 vite më parë, e prej atëherë, këtë vit poezitë u “bashkuan” në një titull libri, brenda të cilit janë margaritarët e fjalëve të zgjedhura me stil dhe të vendosura në harmoni me njëra-tjetrën.

“FIJESHPRES˔ është një botim i Universitetit Epoka, pa ndihmën e të cilit ky libër do të mbetej edhe për kohë të tjera në hije. Për këtë, Alban Tartari gjen rastin të falënderojë jo vetëm universitetin, por të gjithë ata që ndihmuan në finalizimin e këtij libri.

“Jam i kënaqur që pas 10 vitesh që doli në dritë në këtë botim. Falënderoj familjen, Universitetin Epoka që mbështetpn botimin e tij. Falënderoj Agron Tufën, një shkrimtar brilant dhe kolegët. Një falënderim kam edhe për Ramadan Çipurin, si editor. Gjithashtu falënderoj Gazetën Start, si bashkëpunëtor i saj”, shprehet Tartari.

Penat e arta turke

Në librin prej 100 faqesh gjenden edhe poezi të përkthyera nga poetë të famshëm turq, e të njohur gjithashtu në botë. Poet të tillë si Nexhip Azëll Kësakyrek, Nazmi Hikmet Ran, Orhan Vel Kanik, Bylent Exhevik, Sezai Karakoç, Javuz Bylent Bakiler, Xhan Jyxhel, janë vetëm disa prej emrave të poetëve të famshëm jo vetëm në Turqi por edhe më tej, që janë shqipëruar nga gjuha origjinale e këtyre penave të mëdha që lanë gjurmë në historinë e njerëzimit.

Janë gjithsej 14 poetë turq, që vijnë në gjuhën shqipe drejtpërsëdrejti nga gjuha origjinale. Gjer më tani ka pasur përkthime nga gjuha të dyta të këtyre poetëve, çka e zbehin deri diku origjinalitetin e poezitë dhe artit të të shkruarit të saj nga vetë poetët.

Dy fjalë për krijimtarinë e Tartarit

“Tek e fundit, dhuntia e poezisë kërkon përveç aftësisë për të depërtuar në psikologjinë e subjektit përjetues, edhe një zemër e madhe, të pastër dhe fisnike. Dhe këtë dhunti ta fal veç Zoti i Madh”, shkruan ndër të tjerash shkrimtari dhe profesori i njohur Agron Tufa.

Ai shkruan më tej, se poezitë e Tartarit shquhen për lirizmin e tyre, si një art siç e quan ai, të ngarkuar me nostalgjinë e një romantike moderne urbane. E gjitha kjo është vatra jonë dhe për këtë flet edhe poezia e Tartarit.  /Saimir Lleshi/

                                                                                             2010-11-14 15:37
  [ 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›