E Diel, 1 Nëntor 2026

“Balkanika 2010”, 14 shkrimtarë në garë

Konkurrentët vijnë nga Turqia, Rumania, Maqedonia, Greqia, Serbia, Bullgaria, e sigurisht edhe nga Shqipëria. Juria ndërkombëtare do të vlerësojë më të mirin prej autorëve dhe veprës përkatëse. Për vitin 2008, konkurrojnë Nikolay Milchev nga Bullgaria, Dimitris Nollas nga Greqia, Tomislav Osmanli nga Maqedonia, nga Rumania vjen Theodor Damian, ndërsa nga Serbia Srdjan Valjareviç. Shqipëria përfaqësohet me Ismail Kadarenë, kurse Turqia me Sema Kaygusuz.

Ndërsa autorët konkurrentë për vitin 2009 janë bullgari Deyan Enev, grekja Elias Maglinis, maqedonasja Kica Kolbe, serbi Radoslav Petkoviç, Ben Blushi nga Shqipëria, Tamara Andruçoviç nga Rumania, si dhe Ali Teoman nga Turqia. Fituesit do të bëhen të njohur më 28 nëntor në Vlorë, që është njëkohësisht edhe vendi mikpritës i kësaj ngjarjeje të rëndësishme të letërsisë ballkanike.

Fondacioni “Balkanika” dhe Instituti i Librit dhe i Promocionit “Toena” kanë zgjedhur qytetin bregdetar si vend organizator të këtij evenimenti ndërkombëtar, si një prej qyteteve më libërdashëse në botën shqiptare, por e njohur edhe për mikpritjen tradicionale të zonës. Fituesit të shpallur si autori i romanit më të mirë të Ballkanit për vitin respektiv i jepet Diploma e Nderit, një distinktiv me simbolin e “Balkanikës”, dhe një çmim me vlerë financiare.

Botuesit organizatorë të të gjitha vendeve ballkanike kanë detyrimin që të botojnë romanin fitues në vendet e tyre. Brenda dy vitesh vepra e autorit fitues përkthehet në shumë gjuhë të huaja njëherësh. Botuesve u krijohet mundësia që, sipas dëshirës dhe vlerësimit nga ana e tyre, të botojnë në vendin e tyre të gjitha veprat që kanë konkurruar në “Balkanika”, duke qenë se janë veprat më të mira të botuara në rajon.

                                                                                             2010-11-24 14:13
  [ 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›